‘Paqja’ e vendosur nga grupi i vogël i protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” zgjati vetëm disa orë. Me të trokitur mbrëmja, protestuesit e maskuar iu kthyen incidenteve që kanë ndjekur 9 ditët e deritanishme të protestës.
Së pari, dogjën një karrige, një simbol për të refuzuar ftesën për dialog nga kryeministri Edi Rama, i cili sot, për të dytën ditë radhazi, vendosi disa karrige para kryeministrisë.
Nuk munguan as molotovët e parë drejt godinës së qeverisë e disa bizneseve tashmë të djegur te Kullat Binjake, zjarret e të cilëve u shuan shpejt nga policia. Pas tyre, kanë nisur të hedhin edhe gurë ndaj efektivëve. Gjithsesi, sulmet e deritanishme mbeten të izoluara pasi janë dukshëm më pak të dendura e të dhunshme.
Përpara se të mbërrinin te bulevardi në orën 14:30, protestuesit ndaluan më herët te Ministria e Arsimit ku për rreth një orë e gjysmë, protestuan pa shkaktuar sulme.
Lajm në përditësim...
Në ditën e 9-të të protestës, protestuesit e maskuar kanë nisur me sulmet ndaj efektivëve të policisë.
Siç duket ata kanë qëlluar me gurë blutë te bulevardi 'Dëshmorët e Kombit'.
Pas sulmeve policia i është përgjigjur duke hedhur ujë me presion, për shpërndarjen e tyre.
Pas 3 orëve e gjysmë në qetësi e pa incidente, protestuesit para kryeministrisë kanë nisur sulmet e para. Pasi dogjën një karrige, ata hodhën edhe disa molotovë drejt kryeministrisë e bizneseve që ndodhen te Kullat Binjake.
Protestuesit kanë djegur një karrige në mes të bulevardit 'Dëshmorët e Kombit'.
"Hajdeni të ngrohemi se është ftohtë", dëgjohen të thonë ata.
Një protestues me flamur në dorë, i cili shihet shpesh gjatë protestave thotë se arsye për protestat janë çmimet e larta dhe ndihmat e ulëta sociale, duke sjellë si shembull të atin.
“Si fillim, dola për pensionin e babit, çmimet e larta. Pensioni 120 mijë lekë pë rbabin, nuk i del për kafen, naftën, ushqimet e larta. Unë shpërndaj ujin nëpër Tiranë. Po u ngritën çmimet, s’ngre as rrogën ai”, tha ai.
Kohën për të dalë në protestë me flamur, e ndan mes punës dhe përkujdesjes ndaj babait.
“Kur ishte protesta para një jave, vija çdo darkë. Tani e gjej kohën, mbarova punën në 1 e gjysmë, jetoj vetëm me babin dhe përkujdesem për të, i bëra ushqimin gati se mund të rri edhe në 10-11”, vijon protestuesi.
Prania e tij me flamur e ka bërë të identifikohet edhe si ‘djali i flamurit’, gjë për të cilën s’e fsheh krenarinë.
“Kjo është e shkruar. Ishim dy çuna, po e valëvisnim në të dy bordurat. Më pas ai iku në ditën e tretë, s’di nga u zhduk dhe më ngeli flamuri mua. Jam me fat që e kam flamurin në dorë”, thotë ai.
Sipas tij, rruga drejt dialogut s’mund të jetë me karrige në bulevard, por me një takim të vërtetë në zyrën e kryeministrit.
“S’jam për dhunë, por edhe ai duhet të dialogojë me ata që është për të dialoguar. Jo të tallet me ne duke nxjerrë karrige. Aty është oborr, jo zyra e tij. Të dialogojë me studentët, pedagogët”, përfundoi protestuesi.












Komente
Komento