Irani, gati për diplomaci dhe mbrojtje, Teherani e lidh rihapjen e Hormuzit me një marrëveshje me SHBA-në

Irani shprehet i gatshëm të vijojë negociatat me Shtetet e Bashkuara, por paralajmëron se do të mbrohet në rast të një sulmi të ri ushtarak. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se kontaktet mes Teheranit dhe Uashingtonit po vazhdojnë përmes ndërmjetësve, përfshirë Pakistanin dhe Katarin.
Sipas tij, Irani i ka paraqitur palës amerikane një nismë shtatë ditore, që parashikon rihapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit në ditën e gjashtë, nëse pranohen kushtet e Teheranit. Araghchi pretendoi se Uashingtoni ka pranuar kushtet iraniane, por ka kërkuar përfshirjen e disa pikave të tjera në marrëveshje.
Kryediplomati theksoi se Irani kërkon fillimisht zbatimin e zotimeve të përcaktuara në memorandumin e mirëkuptimit të arritur në Islamabad. Vetëm pas përmbushjes së tyre, sipas tij, mund të zhvillohen bisedime për çështjet e tjera.
Araghchi shprehu mosbesim ndaj Shteteve të Bashkuara, duke pretenduar se negociatat e mëparshme janë pasuar nga sulme kundër Iranit. Për këtë arsye, ai akuzoi Uashingtonin se po pengon përparimin diplomatik, ndërsa theksoi se Ngushtica e Hormuzit nuk do të hapet plotësisht pa një marrëveshje.
Ministri bëri të ditur gjithashtu se Irani dhe Omani kanë rënë dakord për rrugët e hyrjes dhe daljes së anijeve, të cilat duhet të regjistrohen pranë Organizatës Ndërkombëtare Detare. Në fund, Araghchi paralajmëroi se një sulm i ri nga SHBA-ja dhe Izraeli nuk mund të përjashtohet, duke theksuar se Teherani është i përgatitur si për diplomaci, ashtu edhe për mbrojtjen e vendit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



