Celebrities Ndryshe

Sidorela Gjoni në “Ndryshe”: “Shqiptarë përballë shqiptarëve, qeveria duhet të gjejë çelësin për ta zgjidhur situatën”!

E ftuar në emisionin “Ndryshe” me Elona Duron dhe Eni Shehun në Top Albania Radio ishte Sidorela Gjoni, moderatorja e “Shqipëria Live”. Ajo sjell në ekran çështjet e aktualitetit dhe historitë njerëzore që prekin shoqërinë shqiptare. Protestat e shqiptarëve kanë zënë një vend të rëndësishëm në transmetimet e emisionit të saj. Lidhjet e drejtpërdrejta me gazetarët në terren kanë sjellë për publikun zhvillimet nga protesta dhe dëshmitë e qytetarëve.

Hapësira e përditshme kushtuar protestave u zgjerua edhe gjatë fundjavës, me një transmetim maratonë dedikuar ngjarjeve që po mbajnë vëmendjen e opinionit publik. Përmes këtij mbulimi, Sidorela Gjoni dhe ekipi i “Shqipëria Live” kanë vendosur në qendër shqetësimet e protestuesve dhe nevojën për t’i dëgjuar ato. Një angazhim që nënvizon rolin e televizionit si hapësirë ku zëri i qytetarëve merr vëmendje dhe çështjet që i prekin bëhen pjesë e debatit publik. Lidhur me atmosferën e krijuar, ajo u shpreh:

Të them një sekret profesional, sidomos viteve të fundit nga 2021 e mbrapa, unë mund të kujtoj pandeminë, tërmetin e tjera më radhë, unë nuk kujtoj asnjë ngjarje më të trishtë që të kem qenë në studio për ta zhvilluar si temë diskutimi, apo dhe me lidhje direkte, sesa ajo e së shtunës dhe së dielës sepse ishin shqiptarë përballë shqiptarëve. 

Çfarë e ka prekur më shumë atë përgjatë këtyre ditëve të nxehta?

Më ka prekur më shumë momenti kur shihja ditën e diel sheshin Skënderbej në atë lloj gjendje, kur shihja fëmijë përballë policisë, kur shihja adoleshentë që i shihnin policët si armiq, kur shoh komente në rrjete sociale që zgjedhin të bëhen me njërën palë, apo tjetrën. Polici është për të na mbrojtur, mos ta harrojmë asnjëherë. Policin këtu e kemi për të na mbrojtur dhe fakti që një pjesë e madhe e njerëzve tani e shohin policin dhe vrapojnë të fshihen, është një lajm shumë i keq për vendin.

Cila mund të jetë një zgjidhje për këtë situatë? Ja si përgjigjet Sidorela:

Kjo gjëja nuk është se po vjen duke u zgjidhur. Kjo gjëja domethënë ka kaluar në dhunë dhe dhuna është e fundit. Pra, ti kur ke kaluar në dhunë, ke përdorur çfarëdo lloj shkalle tjetër…Mendoj e ka në dorë qeveria ta zgjidhi. Qeveria duhet të gjejë çelësin për ta zgjidhur situatën.

Sigurisht, gjatë kësaj interviste, ajo shprehu një falënderim të madh për çdo gazetare në terren që është duke u përballur me këtë situatë dhe Top Channel për të gjithë vëmëndjen që i ka dhënë që në ditën e parë të protestës së flamingove.