Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, ambasadori Jan Braathu, ka shprehur shqetësimin për raportimet mbi dhunën ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias gjatë protestave në Shqipëri, si dhe për pengesat që ata kanë hasur gjatë ushtrimit të detyrës.
Braathu thekson se gazetarët duhet të jenë në gjendje të informojnë publikun pa u përballur me sulme apo ndërhyrje të pajustifikuara. Sipas tij, mbrojtja e tyre është një kusht thelbësor për garantimin e lirisë së medias dhe funksionimin e demokracisë.
Në reagimin e tij, përfaqësuesi i OSBE-së u kërkon autoriteteve shqiptare të hetojnë pa vonesë dhe në mënyrë efektive të gjitha incidentet e raportuara. Vëmendje e veçantë, sipas tij, duhet t’u kushtohet edhe pretendimeve për përdorim të tepruar ose joproporcional të forcës nga efektivët e policisë.
Braathu nënvizon gjithashtu nevojën për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla, duke kërkuar zbatimin e udhëzimeve të Policisë së Shtetit për sigurinë e gazetarëve. Ai thekson se gjatë tubimeve publike, uniformat blu duhet të garantojnë kushte që u lejojnë gazetarëve të raportojnë në mënyrë të sigurt dhe pa pengesa.
Në mbështetje të qëndrimit të tij, Braathu iu referua edhe Vendimit nr. 3/18 të Këshillit Ministror të OSBE-së, i cili përcakton angazhimet e shteteve pjesëmarrëse për mbrojtjen e gazetarëve dhe përgjegjësinë për sulmet ndaj tyre.













