Në ditën e nëntë të protestave studentore, ndërsa të rinjtë vijojnë të kërkojnë largimin e qeverisë dhe refuzojnë ta mbyllin protestën pa përgjigje për kërkesat e tyre, kryeministri Edi Rama ka publikuar një video ku shfaqet në një ‘përballje’ me një student.
Një përpjekje për ta zhvendosur debatin te dialogu, në një kohë kur pakënaqësia e të rinjve nuk duket se po zbutet.
Në videon e publikuar nga vetë kreu i qeverisë, studenti vë në pikëpyetje besueshmërinë e tij, duke sjellë në vëmendje emrat e Belinda Ballukut, Arben Ahmetajt dhe Erion Veliajt. Për të, këto raste janë ndër arsyet pse studentët nuk kanë besim te ftesat për dialog
Rama kundërshton mënyrën se si studenti i lidh këto emra me përgjegjësinë e qeverisë, duke e sfiduar të sjellë argumentet e tij në një përballje të drejtpërdrejtë.
Ai mohon se ka mbrojtur Ballukun nga drejtësia dhe këmbëngul se refuzimi i Kuvendit për të miratuar kërkesën për arrestimin e saj kishte, sipas tij, si qëllim të shmangte atë që e cilëson si “njëanshmëri”.
Por studenti nuk ndalet te emrat e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të përfshirë në çështje të drejtësisë. Ai rikthen në vëmendje edhe premtimin e vitit 2018 për financimin e universiteteve me 5%, duke pretenduar se qeveria nuk e ka përmbushur zotimin. Rama i përgjigjet duke iu referuar dokumentit të Paktit për Universitetin dhe duke dalluar kërkesat e protestuesve të asaj kohe nga angazhimet e shkruara të qeverisë.
Në një tjetër moment të videos, studenti përmend edhe largimin e shqiptarëve nga vendi, duke përdorur shifrën 420 mijë si argument për mungesën e perspektivës dhe besimit.
Përballja e publikuar nga Rama vjen ndërsa protesta vijon prej nëntë ditësh dhe të rinjtë kanë njoftuar mobilizimin e radhës para Parlamentit.
Pjesë nga videomontazhi i Ramës:
Studenti: Po jua jap unë 3 argumente: Belinda Balluku, Arben Ahmetaj, Erion Veliaj.
Rama: Më fal, ju jeni prokuror, jeni gjykatës, apo jeni student? Dhe nëse jeni student, duhet të bëni kujdes një çik nga një profesori që ju ka mësuar të ngrini akuza kolektive, duke rreshtuar emra, sepse ky vend ka vuajtur shumë nga idhujt vrastarë të atij profesori, që ju mëson së prapthi.
Studenti: A doni t’ju jap 420.000 argumentë të tjerë, aq sa shqiptarë janë larguar që nga viti 2011?
Rama: Me kënaqësi po, dua të më japësh 420.000 argumentë, apo sy më sy ama, dhe me durimin për të dëgjuar, dhe jo vetëm me nxitimin për të folur, e për të propaganduar.
Studenti: A doni të dini pse ne nuk kemi besim te dialogu juaj? Sepse na e treguat besën në 2018-ën, kur ju premtuat studentëve 5% që edhe sot e keni pa paguar faturën.
Rama: Kështu thoni ju, por lexojeni paktin për universitetin që ishte dokumenti që e kurorëzoi atë protestë studentore, dhe mos ngatërroni kërkesat e shumta që u hodhën lart e poshtë aso kohe me zotimet e qarta dhe të shkruara që mori qeveria.
Studenti: Sepse kur SPAK-u kërkoi arrestimin e Belinda Ballukut, ju e mbrojtët atë.
Rama; Jo, ndryshe nga çfarë thonë ata që nuk dinë çfarë thonë, unë nuk mbroj askënd nga drejtësia, përkundrazi, por në atë rast ne mbrojtëm drejtësinë nga njëanshmëria, dhe koha na dha të drejtë, sepse refuzimi ynë për të pranuar duke ngritur kartonat e parlamentit, një tjetër arrest pa gjyq, në një vend që është bërë turp i Europës, me 63% të paraburgosur në totalin e të burgosurve, nuk e pengoi aspak SPAK-un që t’i thellonte hetimet, dhe t’i shteronte duke zgjeruar akuzat.
Studenti: Prandaj nuk kemi besim tek ju.














