
Gjatë një takimi me drejtuesit e institucioneve arsimore të martën, kryeministri Edi Rama deklaroi se protestat e vazhdueshme të studentëve, të cilat nisën si shprehje e pakënaqësisë qytetare, ishin shndërruar në një përpjekje të organizuar për të destabilizuar vendin dhe për të penguar procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Ai paralajmëroi se do t’u përgjigjej protestave me një paketë të re sanksionesh penale dhe administrative.
Pas takimit, Rama publikoi në Facebook një video ku shfaqej duke vendosur një tabelë me fjalën “Dialog” dhe 12 karrige të kuqe në hyrje të Kryeministrisë, si një ftesë për bisedime.
Jesmina Sengla, një studente e përfshirë në protesta, iu përgjigj me komentin: “Ëndërro!”
Sipas Senglës, Rama nuk ka pasur kurrë qëllim të sinqertë për t’u angazhuar në dialog.
“Ftesa e tij nuk është e sinqertë. Ai po i përgjigjet presionit të komunitetit ndërkombëtar për t’u kërkuar protestuesve dialog dhe për ta paraqitur veten si të gatshëm për ndryshim,” tha ajo.
Protestuesit nuk kanë drejtues apo zëdhënës dhe pikëpamjet e tyre shpesh mbeten të padëgjuara. BIRN bisedoi me disa pjesëmarrës për të kuptuar çfarë i ka nxjerrë në rrugë dhe çfarë kërkojnë.
Një kërkesë e përbashkët e tyre është mbrojtja e demokracisë dhe garantimi që qytetarët të mos kenë frikë të shprehen. Ata kërkojnë gjithashtu një sistem të ri politik, në të cilin të mos kenë rol as kryeministri Edi Rama dhe as lideri i opozitës, Sali Berisha.
Kostoja e jetesës dhe kushtet në universitete janë gjithashtu ndër arsyet që i kanë shtyrë studentët drejt protestave.
Jesmina Sengla i tha BIRN se ndihet e revoltuar nga emigrimi i vazhdueshëm i shqiptarëve, veçanërisht i të rinjve në moshë universitare, për shkak të “kushteve të tmerrshme të jetesës dhe kostos së lartë të saj”.
“Sot studentët, në njëfarë mënyre, janë të detyruar të punojnë, sepse nuk mund ta përballojnë koston e jetesës në Tiranë,” tha Sengla për BIRN.
Përshkallëzimi i dhunës policore
Përshkallëzimi i protestave është shoqëruar me një numër në rritje të personave të plagosur dhe të arrestuar, si dhe me dëmtime të pronës publike dhe private.
Përdorimi i gazit lotsjellës, autobotëve me ujë dhe plumbave të gomës nga policia, si dhe hedhja e gurëve dhe mjeteve piroteknike nga protestuesit, kanë karakterizuar përplasjet e ditëve të fundit.
Megjithatë, për shumë prej personave të intervistuar nga BIRN, mënyra se si policia po i trajton protestuesit, veçanërisht të miturit, është kthyer në një nga arsyet kryesore për të kundërshtuar qeverinë.
Megi Ibrahimi, 20 vjeçe, studente e inxhinierisë elektrike në Universitetin Politeknik të Tiranës, i tha BIRN se kishte marrë pjesë në protesta që në fillimet e tyre.
Ajo tregoi se studentët ishin mbledhur përpara Ministrisë së Arsimit dhe kishin hedhur gurë drejt godinës për të shprehur kundërshtimin ndaj politikave të ministrisë.
“Dhe më pas policia filloi të na godiste me ujë, gaz, madje edhe të ushtronte dhunë fizike,” tha ajo.
Ibrahimi theksoi se ekziston një pabarazi e madhe forcash mes policisë dhe protestuesve. Ndërsa protestuesit kanë vetëm “trupat e tyre dhe disa gurë”, sipas saj, policia zotëron “të gjitha llojet e pajisjeve ushtarake për të na sulmuar”.
Megjithatë, kur u pyet për protestat, Ibrahimi tha se “forma më e shëmtuar dhe më brutale e dhunës është korrupsioni”.
“Korrupsioni në Shqipëri nuk përfundon në nivelet e larta të pushtetit. Ai gjendet në çdo pozicion pushteti, në çdo zyrë dhe shërbim ku qeveria ushtron autoritetin e saj. Prandaj jeta këtu është e pamundur,” tha ajo.
Të hënën, gjatë një takimi me Policinë e Shtetit, Rama pretendoi se protestuesit e rinj kishin lidhje me ekstremizmin dhe shërbime të huaja të inteligjencës. Ai njoftoi gjithashtu se punonjësit e policisë do të përfitonin një shpërblim prej 2,500 eurosh.
Kryeministri paralajmëroi gjithashtu pasoja financiare dhe administrative për protestuesit, duke deklaruar se familjet e të miturve do të detyroheshin të paguanin për dëmet e shkaktuara gjatë protestave dhe se studentët do të humbnin bursat, mbështetjen financiare dhe të drejtën për arsim falas.
“Ai po na kërcënon,” tha Ibrahimi. “Por kërcënimet e tij nuk janë aq të frikshme. Na kërcënon se nuk do të na japë bursa, por bursat e tij janë qesharake. Me atë bursë nuk mund të përballojmë as shpenzimet e një jave.”
Disa pedagogë kanë dalë në mbështetje të kauzës studentore.
Doriana Musai, pedagoge e planifikimit urban në Universitetin privat Polis, i tha BIRN se “dhuna ndaj të rinjve është dhunë ndaj demokracisë dhe rrezikon të destabilizojë vendin”.
“Studentët kanë të drejtë. Ata kanë treguar guxim dhe vendosmëri duke kërkuar një politikë të re, që do ta orientonte vendin drejt Bashkimit Europian,” shtoi Musai.
Lëvizja protestuese ndryshon dhe zgjerohet
Protestat kundër qeverisë së Ramës nisën në fund të majit, fillimisht si reagim ndaj ndërtimit të një resorti në zonën e mbrojtur bregdetare të Zvërnecit. Projekti lidhet me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.
Me kalimin e kohës, protestat u shndërruan në një lëvizje më të gjerë kundër korrupsionit, kapjes së institucioneve shtetërore dhe lidhjeve mes politikës dhe interesave të biznesit.
Megjithatë, pas më shumë se katër muajsh tubimesh paqësore, protestat po humbnin vrullin dhe qeveria kishte refuzuar të përmbushte kërkesën kryesore të demonstruesve: dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Pika e kthesës erdhi më 13 tetor, kur mijëra studentë universitetesh dhe nxënës të shkollave të mesme iu bashkuan lëvizjes, pas një thirrjeje për mobilizim kombëtar të bërë tri ditë më parë.
Të pakënaqur me kushtet e arsimit, kostot e studimeve dhe mungesën e perspektivës për punësim, studentët u mblodhën përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë, duke i dhënë një shtysë të re lëvizjes kundër qeverisë.
Mobilizimi studentor e shndërroi një lëvizje qytetare që po humbiste vrullin në një revoltë, ndërsa përplasjet me policinë, arrestimet masive dhe raportimet për përdorimin e forcës e thelluan krizën politike dhe tensionet shoqërore.
Mes protestuesve të së hënës ishte edhe Celeste Fejzo, e cila ruan ende një ftesë që kishte marrë nga Edi Rama në vitin 2013, kur ishte nxënëse me rezultate të shkëlqyera.
Rama e kishte ftuar të merrte pjesë në një aktivitet të nismës “Shqipëria e Gjeneratës Europiane”, e cila premtonte një të ardhme më të mirë për brezin e ri.
Trembëdhjetë vjet më vonë, Fejzo e gjeti veten në rrugë, duke kërkuar largimin e Ramës nga pushteti.
Për të, kontrasti mes shpresave të dikurshme dhe realitetit të sotëm ishte i thellë.
“Shqipëria që po na ofrohet nuk ka asnjë lidhje me atë që prisnim,” i tha ajo BIRN.
“Në këtë pikë, ne si protestues kërkojmë vetëm një akt politik,” tha studentja protestuese Jesmina Senga, duke iu referuar dorëheqjes së Ramës.
“Dorëheqjen e tij.”






