Aktivisti Aulon Kalaja ka denoncuar një incident me efektivët e Policisë së Shtetit para Kryeministrisë.
Kalaja thotë se dy vajza që ndodheshin pranë godinës së qeverisë janë përballur me sjellje tallëse dhe ngacmime nga disa efektivë. Ai thotë se efektivët e policisë po imitonin tinguj maceje dhe po i përqeshnin të rejat.
Ai dhe aktivisti Mariglen Doçi kanë ndërhyrë për t’i mbrojtur vajzat, ndërkohë kanë regjistruar edhe pamjet e incidentit. Kalaja thotë se kjo ndërhyrje u pasua nga reagimi i disa efektivëve, të cilët i rrethuan dhe i shoqëruan me forcë.
Kalaja theksoi ndër të tjera se ky veprim është i turpshëm dhe do të bëjë denoncim pranë AMP dhe organeve të tjera për sjelljen e kundërligjshme të punonjësve të policisë.
“Unë ndërhyra sepse policët ngacmuan gocat. Policët bënin si mace, kur 2 protestuese po kalonin. Së bashku me Mariglend Doçin që u godit nga policia në stomak dhe tek brinjët, reaguam dhe i filmuam.
Pastaj policia na ndaloi, na rrëmbeu telefonin dhe më goditën e më shtynë. Pas ardhjes së mediave, në mënyrë të çuditshme na liruan. Ia bëra me dije shefit të Komisariatit 1, se ata që ngacmuan vajzat, nuk janë policë, por perversë. Nesër do bëj kallzim penal për gjithë ngjarjen! Respekte për motrat tona protestuese. Nuk friksohemi, nuk tërhiqemi,” tha Kalaja.












