Ish-portieri i Fulhamit, Sergio Rico, dhe familja e tij kanë përjetuar momente terrori gjatë një grabitjeje me armë në banesën e tyre pranë Sevillas, në Spanjë. Pesë persona të maskuar hynë në shtëpi teksa familja ishte duke darkuar, duke kërcënuar futbollistin, bashkëshorten e tij dhe dy fëmijët e tyre.
Sipas raportimeve, grabitësit e lidhën 33-vjeçarin dhe kërcënuan bashkëshorten e tij, influenceren Alba Silva, ndërsa skenat e dhunshme u zhvilluan në praninë e dy fëmijëve të çiftit, njëri prej të cilëve është i porsalindur.
Autorët morën para, bizhuteri dhe çanta luksi. Mediat raportojnë gjithashtu se njëri prej grabitësve dyshohet se i ka drejtuar pistoletën në tëmth nënës së Albës, duke e bërë edhe më të rëndë ngjarjen.
Rico ka konfirmuar se familja e tij është përballur me këtë agresion, por ka mohuar raportimet se është rrahur brutalisht gjatë grabitjes. Ndërkohë, policia po heton rrethanat e ngjarjes, ndërsa deri më tani nuk ka raportime për arrestime.
Pas incidentit, Alba Silva reagoi në rrjetet sociale, duke treguar se ndodhet ende në gjendje shoku nga ajo që përjetuan. Ajo shprehu lehtësimin që të gjithë anëtarët e familjes janë mirë dhe se askush nuk ka mbetur i lënduar.
“Jam ende në gjendje shoku. Nuk kam fjalë për atë që ndodhi”, shkroi ajo në një postim në Instagram Story.
Ngjarja sjell në vëmendje edhe grabitjen e rëndë që përjetoi portieri italian Gianluigi Donnarumma në Paris, kur ai dhe partnerja e tij u kërcënuan nga persona që hynë në banesën e tyre.


