Senatorja amerikane reagon për protestat në Shqipëri: Qeveria të ndalë përdorimin e tepruar të forcës policore dhe të luftojë korrupsionin
Senatorja amerikane Elissa Slotkin ka reaguar lidhur me protestat dhe përshkallëzimin e tensioneve në Shqipëri, duke i bërë thirrje qeverisë shqiptare të respektojë të drejtën e qytetarëve për protesta paqësore, të parandalojë përdorimin e tepruar të forcës policore dhe të ndërmarrë masa kundër korrupsionit.
Përmes një reagimi në platformën X, Slotkin ka shprehur shqetësimin për situatën e krijuar në Shqipëri, duke theksuar se qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë llogari nga përfaqësuesit e tyre të zgjedhur.
Ajo ka bërë të ditur se gjatë ditëve të fundit ka pranuar telefonata të shumta nga qytetarë të shqetësuar të shtetit të Michiganit, të cilët kanë shprehur shqetësime për zhvillimet në Shqipëri dhe në vende të tjera evropiane.
“Populli shqiptar ka të drejtë të protestojë në mënyrë paqësore dhe t’u kërkojë llogari zyrtarëve të zgjedhur prej tij”, ka deklaruar Slotkin.
Senatorja amerikane ka theksuar se autoritetet shqiptare kanë përgjegjësi të garantojnë respektimin e shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen e qytetarëve nga përdorimi i tepruar i forcës gjatë protestave.
Sipas saj, qeveria duhet gjithashtu të angazhohet në luftimin e korrupsionit dhe t’u përgjigjet shqetësimeve të ngritura nga qytetarët.
Në fund të reagimit, Slotkin u ka bërë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje dhe të angazhohen për uljen e tensioneve, duke kërkuar që situata të zgjidhet përmes rrugëve paqësore.
“U bëj thirrje të dyja palëve të bëjnë gjithçka që munden për të ulur tensionet dhe për të gjetur një rrugë paqësore për të ecur përpara”, ka përfunduar senatorja amerikane./Telegrafi.
Over the last few days, I’ve gotten a bunch of concerned calls from Michiganders about the escalating violence in Albania, among other European countries. The Albanian people have the right to protest peacefully and hold their elected officials accountable. Likewise, the Albanian government has a duty to uphold the rule of law, protect protestors against the excessive use of police force, clean up corruption, and respond to citizens’ concerns. I urge both sides to do all they can to deescalate and find a peaceful way to move forward.
— Sen. Elissa Slotkin (@SenatorSlotkin) October 20, 2026



























