Senatorja amerikane Elissa Slotkin i ka dërguar një mesazh qeverisë shqiptare lidhur me protestat në Shqipëri, duke kërkuar respektimin e të drejtës për protestë paqësore dhe mbrojtjen e qytetarëve nga përdorimi i tepruar i forcës policore.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, senatorja amerikane shprehet se ka marrë telefonata të shumta nga qytetarë të shqetësuar të Michiganit për përshkallëzimin e dhunës në Shqipëri dhe në vende të tjera evropiane.
Slotkin thekson se qeveria shqiptare ka detyrimin të respektojë shtetin e së drejtës, të luftojë korrupsionin dhe t’u përgjigjet shqetësimeve të qytetarëve.
“Populli shqiptar ka të drejtë të protestojë në mënyrë paqësore dhe t’u kërkojë llogari zyrtarëve të zgjedhur prej tij. Po kështu, qeveria shqiptare ka detyrimin të respektojë shtetin e së drejtës, të mbrojë protestuesit nga përdorimi i tepruar i forcës policore, të luftojë korrupsionin dhe t’u përgjigjet shqetësimeve të qytetarëve”, shkruan senatorja.
Ajo u ka bërë thirrje të dyja palëve të angazhohen për uljen e tensioneve dhe gjetjen e një zgjidhjeje paqësore.
“U bëj thirrje të dyja palëve të bëjnë gjithçka që munden për të ulur tensionet dhe për të gjetur një rrugë paqësore për të ecur përpara”, thekson Slotkin.
Reagimi i senatores amerikane vjen në ditët e protestave të studentëve dhe qytetarëve në Shqipëri, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe denoncojnë korrupsionin qeveritar. Protestat janë shoqëruar me ndërhyrje të policisë dhe raportime për përdorim të forcës ndaj protestuesve.a.b





