Një automjet ka marrë flakë në ecje në aksin rrugor Kardhiq-Delvinë, në vendin e quajtur “Skërficë”. Si pasojë, drejtuesi i mjetit ka pësuar djegie të rënda të shkallës së tretë.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, teksa një automjet tip “Volkswagen Touran”, me drejtues shtetasin Maridon Dhuli, 37 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Fterrë, Bashkia Himarë, ka marrë zjarr.
Pas ngjarjes, kalimtarë të rastit i kanë ardhur në ndihmë drejtuesit të automjetit. Një qytetar nga Saranda, Sokol Ahmetaj, i cili po vinte nga Tirana, ka arritur të shuajë flakët në trupin e 37-vjeçarit duke përdorur xhupin e tij. Ai ka njoftuar gjithashtu spitalin dhe shërbimet e qarkullimit rrugor.
Pas marrjes së ndihmës së parë në urgjencën e Sarandës, 37-vjeçari është transportuar me ambulancë drejt Tiranës për ndihmë mjekësore më të specializuar, për shkak të djegieve të rënda që ka pësuar.
Për shuarjen e zjarrit në automjet është dashur ndërhyrja e shërbimit zjarrfikës.
Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
© SYRI.net