Protestat kundër qeverisë, studentët dhe pedagogët mblidhen në orën 09:00 para Kuvendit

Protestat kundër qeverisë, studentët dhe pedagogët mblidhen në orën 09:00 para Kuvendit

08:04, 22/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Protestat kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama vijojnë për të dhjetën ditë radhazi, ndërsa studentët dhe pedagogët kanë përshkallëzuar qëndrimin e tyre duke bojkotuar mësimin në universitetet publike. Ditën e sotme, në orën 09:00, protestuesit pritet të mblidhen përpara Parlamentit, ku do të përsërisin kërkesën për dorëheqjen e kreut të qeverisë. Ndërkohë, lëvizja pritet të zgjerohet të premten, me bashkimin e mjekëve dhe studentëve të Fakultetit të Mjekësisë.

Një ditë më parë, studentët dhe pedagogët u mblodhën përpara Kryeministrisë, ku refuzuan sërish ftesën e Ramës për dialog. Në shenjë kundërshtimi, protestuesit thyen karriget e vendosura nga kryeministri si simbol i ftesës për diskutim, ndërsa lëshuan thirrjet “Jep dorëheqjen”.

Sindikata e Universiteteve ka shpallur bojkotin e mësimdhënies në të gjitha universitetet publike, në solidaritet me studentët dhe gjimnazistët që prej ditësh protestojnë kundër qeverisë. Bojkoti nisi të mërkurën dhe do të vijojë deri në një njoftim të dytë.

Pedagogët kanë njoftuar gjithashtu se do të mblidhen çdo ditë, në orën 10:00, përpara Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik, për të vijuar protestën.

Sipas tyre, vendimi për bojkot është marrë si reagim ndaj dhunës që pretendojnë se është ushtruar nga Policia e Shtetit ndaj të rinjve gjatë demonstratave. Ata akuzojnë efektivët për shkelje të protokolleve profesionale, përdorim të gazit lotsjellës ndaj protestuesve dhe ndërhyrje të dhunshme edhe në ambiente lokalesh.

Pedagogët u kanë bërë thirrje studentëve të mos pranojnë ftesën e kryeministrit për dialog, duke theksuar se diskutimet për të ardhmen e vendit mund të zhvillohen vetëm pas dorëheqjes së Edi Ramës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco