Betejë e madhe dhe paraqitje e mirë e skuadrës bavareze, por Bayern Munich, pasi ishte në disavantazh 0-1 dhe kaloi në avantazh 2-1, u detyrua të kënaqej me barazimin 2-2 ndaj Arsenalit. “Duhej ta kishim mbyllur ndeshjen, sepse patëm rastet”, – deklaroi Harry Kane, i cili asistoi në golin e barazimit dhe shënoi nga pika e bardhë për avantazhin 2-1.
Trajneri Vincent Kompany analizoi: “Jemi në një periudhë me shumë ndeshje, ndaj duhet të përqendrohemi menjëherë te sfida e radhës. Përballë kishim një kundërshtar të fortë, por krijuam rastet tona dhe më shumë mundësi të pastra nga sa prisja përpara ndeshjes.
Ishim pak të pafat, sepse në 10-15 minutat e fundit patëm vështirësi, pasi Lucho (Luis Díaz) u detyrua të largohej sërish nga fusha. Kjo na hoqi një pjesë të vrullit.
Kishim ndjesinë se mund ta fitonim, madje ndoshta duhej ta kishim fituar ndeshjen. Megjithatë, përballë kishim një skuadër të fortë dhe gjithçka mbeti e hapur deri në fund.
Është zhgënjyese të pësosh golin e barazimit, por ishte një ndeshje intensive kundër një ekipi të nivelit të lartë. Tani na pret skuadra që renditet e treta në Bundesligë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për momentin”.







