Kryeministri Rama në Mal të Zi për Samitin e Procesit të Berlinit, i pranishëm edhe kancelari Merz

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Mal të Zi për të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit, që zhvillohet këtë të mërkurë në Sveti Stefan.
Një ditë më parë, kreu i qeverisë shqiptare njoftoi nisjen drejt Malit të Zi, ku së bashku me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Europian do të diskutojnë mbi të ardhmen europiane të rajonit dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal.
Samiti i Procesit të Berlinit do të zhvillohet në Miloçer dhe Sveti Stefan, pranë Budvës, në një moment të rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, teksa integrimi në Bashkimin Europian mbetet prioriteti kryesor i agjendës politike rajonale.
Në këtë takim të nivelit të lartë marrin pjesë kryeministri shqiptar Edi Rama, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri i Malit të Zi Milojko Spajić, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviç, kancelari austriak Christian Stocker dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski.
Në qendër të diskutimeve pritet të jenë avancimi i procesit të integrimit europian, zbatimi i reformave të kërkuara nga Brukseli, bashkëpunimi ekonomik dhe projektet rajonale që synojnë rritjen e ndërlidhjes mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Pjesë e samitit janë edhe komisionerja europiane për Zgjerimin Marta Kos, ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani dhe ministri francez për Çështjet Europiane Benjamin Haddad, prania e të cilëve konsiderohet një sinjal i qartë i mbështetjes së Bashkimit Europian për procesin e zgjerimit në rajon.
Samiti do të hapet nga kryeministri malazez Milojko Spajić dhe kancelari gjerman Friedrich Merz. Sipas axhendës zyrtare, pas mbërritjes së delegacioneve dhe deklaratave për mediat, liderët do të zhvillojnë seancën plenare, ndërsa në përfundim pritet edhe konferenca e përbashkët për shtyp.
Gjatë qëndrimit në Mal të Zi, komisionerja Kos do të zhvillojë takime të veçanta me presidentin Jakov Milatoviç dhe kryetarin e Kuvendit Andrija Mandiç, ku pritet të diskutohet progresi i Malit të Zi në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe reformat që mbeten për t’u përmbushur.
Në aktivitet marrin pjesë gjithashtu përfaqësues të Bankës Botërore, Bankës Europiane të Investimeve dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të cilët do të diskutojnë mundësitë për mbështetje financiare të projekteve strategjike në rajon.
Procesi i Berlinit u krijua në vitin 2014 me nismën e Gjermanisë për të forcuar bashkëpunimin politik dhe ekonomik mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe për të përshpejtuar afrimin e tyre me Bashkimin Europian.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




