E ftuar në një lidhje Skype në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV, pedagogia Albana Deda Ndoja ka kritikuar qeverinë për mosmbajtjen e premtimeve ndaj studentëve dhe Ministrinë e Arsimit për mungesën e reagimit ndaj kërkesave të tyre.
Duke iu referuar protestës së studentëve të vitit 2018, pedagogia vuri në pikëpyetje rezultatet e Paktit për Universitetin, duke theksuar se, pavarësisht premtimeve për rritjen e financimit të arsimit, punësimin e studentëve dhe ndërtimin e kampusit universitar, problematikat vijojnë të mbeten të pazgjidhura.
“Në 2018 ju premtoi edhe punësim studentëve, ndërkohë që një ndër ankesat e studentëve është punësimi. Ju premtoi kampusin universitar. Ku është kampusi universitar?”, deklaroi pedagogia.
Ajo kritikoi gjithashtu qëndrimin e ministres së Arsimit, e cila është prononcuar për t’u kërkuar prindërve të mos i çojnë fëmijët e vegjël në protestë, por nuk ka treguar ndjeshmëri për kërkesat e studentëve dhe nuk ka propozuar një mekanizëm konkret dialogu.
Pedagogia theksoi se besimi mes studentëve dhe qeverisë është thyer, ndërsa një tryezë dialogu pa garanci për zgjidhjen e problemeve rrezikon të mbetet vetëm një formalitet.
Pedagogia u ndal edhe te financimi i arsimit të lartë, transparenca e shpenzimeve dhe pesha e votës së studentëve në zgjedhjen e drejtuesve të universiteteve, duke vënë në dukje se premtimet e bëra pas protestës së vitit 2018 nuk kanë prodhuar rezultatet e pritshme.
Pjesë nga intervista:
Problemi është që ne kemi një ministre arsimi e cila ka atë godinën simbol aty te studentët e shkatërruar komplet, ku është hedhur mllefi i gjithë popullit shqiptar, sepse studentët janë populli shqiptar.
Kemi një ministre arsimi që ka dalë të prononcohet vetëm për t’u thënë prindërve që mos çoni fëmijët e vegjël në protestë dhe nuk ka pasur asnjë lloj ndjeshmërie as për kërkesat e studentëve ose minimalisht për të dalë për të ngritur një grup dialogu që të diskutojë me ta.
Tani ne jemi mësuar shumë që gjërat t’i kemi në rregull në letër, por se si ndodh puna praktikisht, ne e dimë shumë mirë se si ndodh.
Kështu që, në këtë aspekt, unë mendoj që pozicioni i ministres së arsimit është i sfumuar, si pozicion, jo vetëm si simbolikë, por dhe si proces në këtë kohë jashtëzakonisht serioze për kombin tonë.
Edhe pedagogët kanë qenë në përkrahje të studentëve që ditën e parë që ata kanë dalë, që janë prononcuar me shkresë publike, me prononcim publik që më 15 tetor.
Pedagogët i përkasin asaj shtrese që mendojmë se jetojmë në një shtet demokratik, ku pushtetin e ushtron populli, natyrisht nëpërmjet përfaqësuesve të vet, dhe zgjidhjet nuk duhet të jenë dhunë.
Pedagogët gjithashtu e dinë që baza e një pushteti demokratik janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, për të cilat ne sot mund të diskutojmë shumë, por s’kemi pse diskutojmë ne, sepse kemi një raport OSBE/ODIHR-i që i vë shumë në diskutim.
Pedagogët e dinë gjithashtu se zgjidhjet e dhunshme janë ato raste, ka ndodhur në historinë botërore dhe shqiptare, nuk është se s’ka ndodhur, por ka ndodhur kur nuk ka pasur mundësi dialogimi nga të dyja palët, pra kur nuk arrihet dot një rezultat, por në çfarë momenti jemi ne këtu?
Jemi në momentin ku ka humbur besimi mes palëve. Në ç’kuptim ka humbur besimi mes palëve?
Unë i ndjek aq sa arrij t’i ndjek edhe nëpër mediat e tjera diskutimet e përfaqësuesve të qeverisë dhe ata thonë se s’vijnë të ulen në dialog, por që unë të ulem në dialog me dikë, dua që unë të kem besim se po ulem, po nuk po ulem thjesht se dal në kamera edhe të bëj demagogji dhe të them se u shua protesta ose të them që do t’i zgjidhim çështjet, siç ndodh zakonisht kur plas kriza e madhe, por ulem për t’i zgjidhur realisht ato probleme.
Studentët dhe pedagogët e kanë mohuar kategorikisht uljen në tryezë diskutimi. Po marrim rastin kur janë ulur, shkojmë jo më larg se 2018, ishte greva e studentëve 2018. Pasi u denigruan, u dhunuan, u ulën, e çfarë u prodhua nga ajo? U prodhua pakti për universitetin. Çfarë ishte pakti për universitetin? Diçka për mua ishte e kundërligjshme si proces, sepse ka pasur një ligj, ka pasur VKM të atij ligji për arsimin e lartë. Ligjit dhe VKM-së duhet t’i shtojmë një shtojcë, paktin mbi universitetin.
Megjithatë, po e pranojmë. Çfarë ndodh? Kërkesa kryesore e paktit për universitetin ka qenë rritja e arsimit në përgjithësi me 5 për qind. E njëjta kërkesë ka qenë dhe në grevën e pedagogëve në 2022. Çfarë ndodh sot? Dhe kjo është kërkesë e Komunitetit Europian. Sot vazhdojmë ta kemi buxhetin shumë të ulët, që nuk krahasohet me këto kërkesa që kanë kërkuar pedagogët dhe studentët, e jo vetëm.
U është premtuar studentëve në paktin e universitetit transparencë me buxhetin nga ministria dhe publikimi i të gjitha shpenzimeve online. Është fare lehtë e verifikueshme se çfarë reflektohet në ato slajde të Ministrisë së Arsimit.
Rritja 10 deri në 50 për qind e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatin për dekan apo rektor, po, është reflektuar një numër i caktuar, por natyrisht anon më shumë te 10-20 për qind, jo 50.
Rishikimi i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore. Natyrisht, kur bën një doktoraturë, ndër të tjera, të kërkohet edhe kusht, të kërkohet edhe testi antiplagjiaturë, por testin ti mund ta bësh kudo. Në botë ndodh ndryshe, blihet programi që financohet nga një iks universitet dhe kalohet aty çdo lloj doktorature, jo në çdo lloj vendi të mundshëm, dhe me filtra të caktuar.
Mos harroni se në botë, për një paragraf që ka cituar jo saktësisht, pra me referencën përkatëse, iks ministër gjerman ka dhënë dorëheqjen, ndërkohë te ne bëhet nami dhe dalin artikuj për plagjiaturë.
Pajisja e gjithë studentëve me kartën e studentit. Ti mund ta pajisësh, po çfarë shërbimesh sjell ajo kartë?
Unë personalisht, në këtë nivel dhe në këtë qasje, e shoh shumë të vështirë uljen në dialog. Absolutisht nuk stimuloj dhunën, edhe dje janë thyer ato karriget. Ne kemi këmbëngulur të mos ndodhë diçka e tillë, se ato karriget bosh do të ishin më simbolike, por ne nuk mund ta përmbajmë mllefin e njerëzve, vuajtjet e njerëzve, sakrificat, dhunën ndaj tyre, denigrimin ndaj tyre. Në çdo moment ti e kërkon të ulesh në dialog me të, ku së pari ti e ke denigruar, e ke vrarë atë person, e ke lënduar fizikisht, se skemat që po shohim janë të tmerrshme, dhe pastaj hajde të tërhiqem, të të denigroj dhe ulemi, dhe pastaj hajde të flasim se çdo gjë zgjidhet. Ja pra, janë ulur në 2018, ku janë studentët sot?
Në 2018 ju premtoi edhe punësim studentëve, ndërkohë që një ndër ankesat e studentëve është punësimi.
Ju premtoi kampusin universitar. Ku është kampusi universitar? Në ambientin e kampusit universitar po ndërtojnë Shkollën e Europës, ndërkohë që Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë merr me qira salla për të bërë leksione e seminare te Godina Liria.
Atëherë, si mund të ulesh ti me një mungesë besimi të tillë në një tavolinë? Mos harroni se është një sakrificë e atyre fëmijëve, e atyre familjeve të tyre. Nuk e di se çfarë logjike krijohet në këtë situatë.
© SYRI.net