Thursday / October 22 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Europa

Borxhi publik në Eurozonë rritet në 88,8% të PBB-së, Italia i afrohet nivelit të Greqisë

Share Share Icon

Borxhi publik në Eurozonë u rrit në 88,8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në tremujorin e dytë të vitit 2026, ndërsa Italia po i afrohet Greqisë, vendit me nivelin më të lartë të borxhit në Eurozonë. Ndërkohë, borxhi publik i Francës arriti në 119,1% të PBB-së, teksa kostot e huamarrjes së saj tejkaluan nivelin 5%.

Sipas të dhënave të publikuara të mërkurën nga zyra e statistikave të Bashkimit Europian, Eurostat, borxhi publik i vendeve të Eurozonës arriti në 88,8% të PBB-së gjatë periudhës prill-qershor 2026, nga 87,3% që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Borxhi publik i Italisë është tashmë më pak se një pikë përqindjeje nën nivelin e Greqisë, ndërsa ai i Francës është rritur në 119,1% të PBB-së, në një kohë kur kostot e huamarrjes së qeverisë franceze kanë kaluar nivelin 5%.

Raporti i borxhit publik ndaj PBB-së tregon peshën që zënë detyrimet financiare të qeverisë në raport me madhësinë e ekonomisë së një vendi. Sipas rregullave fiskale të Bashkimit Europian, borxhi publik nuk duhet të tejkalojë 60% të PBB-së, ndërsa deficiti buxhetor vjetor duhet të mbetet brenda kufirit prej 3% të PBB-së.

Në të gjithë Bashkimin Europian, borxhi publik u rrit në 82,9% të PBB-së në tremujorin e dytë të vitit 2026, nga 81,4% në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në vlerë absolute, detyrimet e qeverive të Eurozonës arritën në rreth 14,4 trilionë euro.

Të dhënat vjetore, të publikuara gjithashtu të mërkurën, tregojnë se borxhi publik në Bashkimin Europian u rrit në 81,5% të PBB-së në vitin 2025, nga 80,3% në vitin 2024. Ndërkohë, deficiti buxhetor i bllokut mbeti i pandryshuar në 3,1% të PBB-së, duke tejkaluar lehtë kufirin prej 3% të përcaktuar nga rregullat fiskale të BE-së.

Borxhi publik në Bashkimin Europian ka mbetur mbi nivelin 80% të PBB-së që prej pandemisë COVID-19, kur arriti kulmin prej 89,5% në vitin 2020.

Për Eurozonën, të dhënat vjetore të Eurostat përfshijnë ende 20 vendet që përdornin monedhën euro gjatë vitit të kaluar, pasi Bullgaria iu bashkua zonës së monedhës së përbashkët më 1 janar 2026. Në këto vende, borxhi publik u rrit në 87,7% të PBB-së, nga 86,6% një vit më parë.

Eurostat ngriti gjithashtu rezerva lidhur me cilësinë e të dhënave të Bullgarisë për vitin 2025, konkretisht për mënyrën e regjistrimit të shpenzimeve nga agjencia përgjegjëse për infrastrukturën rrugore.

Gjermania, ekonomia më e madhe e Bashkimit Europian, regjistroi një rritje të borxhit publik në 62,8% të PBB-së, nga 61,4% një vit më parë, ndërsa deficiti buxhetor u zgjerua në 2,9%.

Deficitet buxhetore po shfaqin sërish tendencë rritëse edhe gjatë këtij viti. Sipas të dhënave të përshtatura për efektet sezonale, deficiti i përbashkët i qeverive të Eurozonës u rrit lehtë në 3,3% të PBB-së në tremujorin e dytë, nga 3,2% në tremujorin e parë. Në nivel të Bashkimit Europian, deficiti u zgjerua në 3,5%, nga 3,1% në tremujorin paraardhës.

Gjatë vitit të kaluar, 12 vende anëtare të BE-së kishin një nivel të borxhit publik mbi kufirin prej 60% të PBB-së, ndërsa 11 vende regjistruan deficite buxhetore të barabarta ose më të larta se 3% të PBB-së.

Italia i afrohet Greqisë, ndërsa borxhi dhe kostot e huamarrjes së Francës rriten

Greqia vijon të mbetet vendi me nivelin më të lartë të borxhit publik në Bashkimin Europian, me 140,8% të PBB-së në tremujorin e dytë të vitit 2026. Megjithatë, Italia është afruar ndjeshëm, me një raport të borxhit publik prej 139,9% të PBB-së, vetëm 0,9 pikë përqindjeje më pak se Greqia.

Raporti i borxhit publik ndaj PBB-së në Greqi ka rënë me 11,2 pikë përqindjeje gjatë një viti, i ndihmuar nga suficitet buxhetore që ka regjistruar vendi. Në të kundërt, Italia shënoi një rritje prej 1,3 pikësh përqindjeje vetëm gjatë tremujorit të dytë.

Për krahasim, në vitin 2022, borxhi publik i Greqisë arrinte në 177,8% të PBB-së, kundrejt 138,4% në Itali, çka tregon ngushtimin e ndjeshëm të diferencës mes dy vendeve gjatë viteve të fundit.

Franca renditet e treta në Bashkimin Europian për nivelin më të lartë të borxhit publik, me 119,1% të PBB-së, duke shënuar një rritje prej 3,7 pikësh përqindjeje brenda një viti, një ndër rritjet më të forta në bllok.

Borxhi publik mbeti mbi 100% të PBB-së edhe në Belgjikë dhe Spanjë, përkatësisht në nivelet 110,2% dhe 101,4%.

Estonia regjistroi nivelin më të ulët të borxhit publik në raport me PBB-në, me 26,1%, e ndjekur nga Danimarka dhe Luksemburgu. Ndërkohë, Polonia shënoi rritjen më të fortë të këtij treguesi në Bashkimin Europian, me 6,7 pikë përqindjeje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Publikimi i këtyre të dhënave përkoi me ditën kur yield-i i obligacioneve 10-vjeçare të qeverisë franceze kaloi nivelin 5% për herë të parë që nga viti 2002, teksa investitorët po kërkojnë norma më të larta interesi për të financuar borxhin e Francës.

Deficiti buxhetor i Francës arriti në 5,1% të PBB-së gjatë vitit të kaluar, duke u renditur i katërti më i lartë në Bashkimin Europian, pas Rumanisë, Polonisë dhe Belgjikës.

Ndërkohë, Parlamenti francez, i përçarë politikisht, po shqyrton projektbuxhetin për vitin 2027, i cili synon uljen e deficitit buxhetor në 5% të PBB-së. Megjithatë, kryeministri Sébastien Lecornu nuk disponon shumicën e nevojshme parlamentare për të miratuar shkurtimet e parashikuara të shpenzimeve publike.

Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Moody’s pritet të rishikojë të premten vlerësimin e saj për aftësinë paguese të Francës. Shumica e ekonomistëve parashikojnë një ulje të vlerësimit të kreditit të vendit, çka mund të ushtrojë presion të mëtejshëm në rritjen e kostove të huamarrjes për qeverinë franceze.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Interesi i obligacioneve 10-vjeçare të qeverisë franceze tejkalon 5%, për herë të parë që nga 2002

Yield-i i obligacioneve 10-vjeçare të qeverisë franceze, që shërbejnë si instrument referencë, tejkaloi nivelin 5% të mërkurën, ndërsa investitorët...

20 hours më parë 3 Min Lexim

Investimet e gjelbra në BE kalojnë 1,2 trilionë euro, energjia kryeson financimet

Investimet në aktivitete ekonomike të qëndrueshme në Bashkimin Europian kanë tejkaluar 1,2 trilionë euro që nga viti 2021, ndërsa sektori energjeti...

23 hours më parë 2 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!