Protestat e kamionistëve paralizojnë furnizimet, aeroportet në Italinë e Jugut rrezikojnë të mbeten pa karburant

Botë | 1 minutë më parë

Bllokadat e transportuesve rrugorë në jug të Italisë, në protestë kundër rritjes së çmimeve të karburanteve, kanë shkaktuar probleme në furnizimin me karburant për avionët në disa aeroporte. Autoritetet kanë paralajmëruar kompanitë ajrore për kufizimet e mundshme dhe u kanë kërkuar pilotëve të sigurojnë karburantin e nevojshëm në aeroporte të tjera.

Sipas mediave italiane, situata është veçanërisht shqetësuese në Kalabri dhe Sicili, ku aeroportet e Krotones dhe Rexho Kalabrias kanë raportuar mungesë të karburantit të aviacionit Jet A-1. Agjencia italiane e kontrollit të trafikut ajror, ENAV, ka publikuar njoftime për aviacionin, të njohura si NOTAM, duke udhëzuar pilotët të planifikojnë furnizimin në aeroportin e nisjes ose në një aeroport të mëparshëm, në mënyrë që të kenë sasi të mjaftueshme për fluturimet pasuese.

Sipas njoftimeve të publikuara më 21 tetor, kufizimet në Krotone mund të zgjasin deri të shtunën në mbrëmje, ndërsa në Rexho Kalabria deri të dielën. Në aeroportin e Lamezia Termes nuk janë raportuar probleme të ngjashme, raporton TgCom24.

Megjithatë, kompania Sacal, e cila administron tre aeroportet e Kalabrisë, ka deklaruar se, falë procedurave operative të vendosura, nuk parashikohen ndikime në rregullsinë e fluturimeve të planifikuara gjatë ditëve në vijim.

Rreziku i mungesës së karburantit është shtrirë edhe në aeroportin e Katanias, në Sicili, ku njoftimet e ENAV-it paralajmërojnë për disponueshmëri të kufizuar të Jet A-1. Për këtë arsye, kompanive ajrore u kërkohet të sigurojnë sasinë e nevojshme të karburantit përpara mbërritjes në këtë aeroport.

Probleme të mundshme janë evidentuar edhe në aeroportet e Napolit dhe Salernos, në rajonin e Kampanias. Kompania administruese Gesac ka konfirmuar vështirësitë në furnizimin me karburant, duke paralajmëruar se situata mund të përkeqësohet nëse bllokadat vazhdojnë.

Për këtë arsye, Gesac i ka kërkuar prefekturës të ndërhyjë për të garantuar kalimin e automjeteve të furnizimit dhe aksesin në depot e karburantit në Napoli, të cilat aktualisht pengohen nga bllokadat e protestuesve. Kompania ka kërkuar gjithashtu marrjen e masave të nevojshme për të shmangur ndërprerjen e shërbimit publik që lidhet me funksionimin e aeroporteve.

Njoftime paraprake për kufizime të mundshme janë publikuar edhe për aeroportet e Barit dhe Brindisit, në rajonin e Pulias. Megjithatë, deri më tani nuk janë raportuar vështirësi konkrete në furnizimin me karburant në këto dy aeroporte.

Ndërkohë, protestat e transportuesve rrugorë vijojnë në disa zona të Italisë së Jugut, duke shkaktuar radhë të gjata automjetesh dhe vonesa në shpërndarjen e mallrave, përfshirë produkte ushqimore dhe farmaceutike. Transportuesit kundërshtojnë rritjen e kostove të karburantit dhe kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë për të lehtësuar barrën financiare mbi sektorin.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme