E ftuar në emisionin ‘Kafe Shqeto’ në SYRI TV, aktivistja Alisa Braho deklaroi se të rinjtë që protestojnë kundër qeverisë së Edi Ramës po zgjedhin ta injorojnë kryeministrin dhe të mos e trajtojnë më si të tillë.
Braho theksoi se ata i drejtohen Ramës si individ dhe se, sipas saj, ai do të japë llogari para gjykatave të vendit.
Ajo u shpreh se protestat përfshijnë jo vetëm të rinjtë e Gen Z-së, por edhe milenialët, ndërsa nënvizoi se pjesëmarrësit janë të vendosur dhe nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre.
Pjesë nga intervista:
Janë të ndarë, në fakt, në dy kategori, në dy grupe, le të themi: ata që janë kryesisht pak më të trembur, të sugjestionueshëm, jo për shkak se kanë frikë nga ai. Absolutisht që jo, por informacionin e marrin përmes disa mediave, le të themi, shumë afër pushtetit.
Edhe pastaj janë ata të tjerët, që janë super të informuar edhe më vijnë dhe më shkruajnë nëpër grupe: “Alisa, është absolutisht e pavërtetë!” Të rinjtë janë të informuar. Ajo marrëzia e kryeministrit, demek, nuk mund të lidhin gjashtë fjalë. Ju e patë një djalë 14-vjeçar, që e kishte rrahur policia, i cili thoshte: “Me çfarë do t’i paguash pensionistët?”, që u bë virale si video. Tani, kur ai 14-vjeçar di më shumë se vetëm gjashtë fjalë t’i lidhë, mund të imagjinoni që brenda kësaj proteste, përveç Gen Z-së, janë dhe milenialët, janë dhe ata young adults që quhen ndryshe, sikurse ishte ajo fotografia e famshme e atij djalit me librin e Odisesë, që është 27 vjeç, ka përfunduar studimet, por përfundon ose në call center. Kam takuar njerëz që punojnë në call center me diploma, doktoraturë të mjekësisë, dhe punojnë në call center.
Besoj që injorimi online që janë duke i bërë Ramës është pikërisht një nga gjërat më të mira që mund të bëjnë ndonjëherë.
Qasja ndaj Ramës është injoruese, poshtëruese ndaj tij, tallëse ndaj tij. Gjejmë një koment të vetëm të të rinjve online poshtë postimeve, idiotesirave që poston Rama, se ne nuk i drejtohemi si kryeministër. I themi ose ish-kryeministër, ose Edi Rama, si një individ, ashtu sikurse ai do të japë llogari si një individ përpara gjykatave të këtij vendi.
Edhe më pëlqen si qasje, sepse e injorojnë ashtu sikurse e meriton. Karriget ia hedhin përmbys. Nuk ka as edhe një dialog online, sepse ai po përpiqet që t’i nxjerrë studentët në qorrsokak.
Unë nuk dua të jem e ashpër, por me siguri jua them këto gjëra. Vetëm 1 për qind të aktivistëve realë, të cilët janë në protestat tona, unë i kam parë në televizor, shumë shpesh madje. I shoh dhe them: “Po kjo vajza kush është? Po ky djali kush është?”, se ne nuk i kemi parë ndonjëherë. Aktivë online nuk janë. Të rinjtë na ndjekin, na shkruajnë: “Mos dilni në media”, që ne i bojkotojmë.
Janë shumë më të vendosur. Janë njerëz që nuk kanë asgjë për të humbur. Njerëzit që kanë diçka për të humbur janë njerëzit e kompromiseve. Ata s’kanë asgjë për të humbur: shtëpi s’kanë, lekë s’kanë, makina s’kanë, pra, s’kanë asgjë për të humbur.
© SYRI.net