Ka zbulime shkencore që bëjnë shumë më tepër sesa zgjerojnë njohuritë tona: ato ndryshojnë mënyrën tonë të të menduarit, duke na treguar përmasat e Universit dhe vendin që zëmë në të. Si jashtëtokësorët…

Një çast i tillë ishte kur sondat hapësinore dërguan për herë të parë fotografi të Tokës. Një tjetër do të ishte zbulimi i jetës në një botë tjetër. Sot jemi afruar pak më shumë drejt atij çasti, pas lajmit se në një planet të quajtur K2-18b janë zbuluar shenja të një gazi që në Tokë prodhohet nga organizma të thjeshtë detarë.
Sipas shkencëtarit që drejton ekipin që bëri zbulimin, mundësia për të gjetur vërtet jetë jashtëtokësore, çka do të thoshte se nuk jemi vetëm në Univers, tashmë nuk është e largët.
«Për sa u përket pyetjeve themelore, vështirë të ketë ndonjë më të rëndësishme se kjo, dhe mund të jemi në prag të përgjigjes», thotë profesori Nikku Madhusudhan, nga Instituti i Astronomisë i Universitetit të Kembrixhit.
Por e gjithë kjo ngre edhe më shumë pyetje, përfshirë një të tillë: nëse zbulohet jetë në një botë tjetër, si do të na ndryshojë kjo si specie?
Disqet fluturuese dhe jashtëtokësorët e fantashkencës
Prej kohësh, paraardhësit tanë kanë krijuar rrëfime për qenie që mund të jetojnë në qiell. Në fillim të shekullit XX, astronomët mendonin se shihnin vija të drejta në sipërfaqen e Marsit. Kjo nxiti hamendësimet se një nga planetët tanë më të afërt mund të strehonte një qytetërim të përparuar, një ide që ushqeu një kulturë të tërë fantashkence popullore, me disqe fluturuese dhe jashtëtokësorë të vegjël të gjelbër.
Kjo ndodhte në një epokë kur qeveritë perëndimore nxitnin frikën nga përhapja e komunizmit, ndaj vizitorët nga hapësira paraqiteshin më shpesh si kërcënim, duke sjellë rrezik dhe jo shpresë.
Por, disa dhjetëvjeçarë më vonë, ajo që është përshkruar si «dëshmia më e fortë deri më sot» për jetë në një botë tjetër nuk ka ardhur nga Marsi apo Venusi, por nga një planet qindra trilionë milje larg, që rrotullohet rreth një ylli të largët.
Një pjesë e sfidës në kërkimin e jetës jashtëtokësore është të dish se ku të kërkosh.
Deri relativisht vonë, kërkimet e NASA-s për jetë përqendroheshin te Marsi. Por kjo nisi të ndryshonte në vitin 1992, me zbulimin e planetit të parë që rrotullohej rreth një ylli tjetër, jashtë sistemit tonë diellor.
Megjithëse astronomët kishin dyshuar se rreth yjeve të largët ekzistonin botë të tjera, deri në atë çast nuk kishte prova. Që prej atëherë, janë zbuluar afro 6 000 planetë jashtë sistemit tonë diellor.
Shumë prej tyre janë të ashtuquajturit gjigantë të gaztë, si Jupiteri dhe Saturni në sistemin tonë diellor. Të tjerë janë tepër të nxehtë ose tepër të ftohtë për të pasur ujë në gjendje të lëngshme, i cili mendohet se është thelbësor për jetën.
Por shumë ndodhen në atë që astronomët e quajnë «zona e Goldilocks-it», ku largësia nga ylli është «pikërisht e duhura» për të mundësuar jetën. Profesori Madhusudhan beson se në galaktikën tonë mund të ketë mijëra të tillë.
Teknologji me ambicie marramendëse
Ndërsa zbuloheshin këta të ashtuquajtur ekzoplanetë, shkencëtarët nisën të zhvillonin instrumente për të analizuar përbërjen kimike të atmosferave të tyre. Ambicia e tyre ishte marramendëse; disa do ta quanin edhe të guximshme deri në skaj.
Ideja ishte të kapej sasia fare e vogël e dritës së yllit që kalon përmes atmosferave të këtyre botëve të largëta dhe të analizohej për gjurmë karakteristike kimike të molekulave që, në Tokë, mund të prodhohen vetëm nga organizma të gjallë, të ashtuquajturat bioshenja.
Dhe ata ia dolën të zhvillonin instrumente të tilla, si për teleskopët tokësorë, ashtu edhe për ata hapësinorë.
Teleskopi Hapësinor James Webb i NASA-s, i cili zbuloi gazin në planetin K2-18b në zbulimin e njoftuar këtë javë, është teleskopi hapësinor më i fuqishëm i ndërtuar ndonjëherë. Lëshimi i tij në vitin 2021 ngjalli entuziazmin se kërkimi i jetës më në fund ishte brenda mundësive të njerëzimit.
Por James Webb ka kufizimet e veta: për shkak të shkëlqimit verbues të yjeve, ai nuk mund të dallojë planetë të largët aq të vegjël sa Toka ose aq pranë yjeve të tyre. Prandaj NASA po planifikon Observatorin e Botëve të Banueshme, të njohur si HWO, të parashikuar për vitet 2030, i cili do të mund të dallojë planetë të ngjashëm me tonin dhe të analizojë atmosferat e tyre. Kjo bëhet e mundur duke përdorur një lloj mburoje të teknologjisë së lartë, e cila zvogëlon dritën që vjen nga ylli rreth të cilit rrotullohet planeti.
Gjithashtu, më vonë gjatë këtij dhjetëvjeçari pritet të nisë punën Teleskopi Jashtëzakonisht i Madh, ose ELT, i Observatorit Jugor Evropian. Ai do të vendoset në tokë dhe do të vëzhgojë qiellin e kthjellët të shkretëtirës së Kilit.
Ai ka pasqyrën më të madhe të ndërtuar për një instrument të tillë, me diametër 39 metra, dhe për këtë arsye mund të dallojë shumë më tepër hollësi në atmosferat planetare sesa paraardhësit e tij.
Më shumë zbulime, më shumë pyetje
Megjithatë, profesori Madhusudhan shpreson që brenda dy vjetësh të ketë të dhëna të mjaftueshme për të dëshmuar përfundimisht se ka zbuluar vërtet bioshenja në atmosferën e K2-18b. Por, edhe nëse e arrin këtë synim, kjo nuk do të sjellë festime masive për zbulimin e jetës në një botë tjetër.
Përkundrazi, do të shënojë nisjen e një tjetër debati të fortë shkencor: nëse bioshenja mund të prodhohet nga procese që nuk përfshijnë organizma të gjallë.
Megjithatë, sipas profesoreshës Catherine Heymans, nga Universiteti i Edinburgut, e cila mban titullin Astronome Mbretërore e Skocisë, ndërsa grumbullohen më shumë të dhëna nga më shumë atmosfera dhe kimistët nuk arrijnë të gjejnë shpjegime alternative për bioshenjat, konsensusi shkencor do të zhvendoset ngadalë e gradualisht drejt gjasës se jeta ekziston edhe në botë të tjera.
«Me më shumë kohë vëzhgimi në teleskopë, astronomët do të krijojnë një pamje më të qartë të përbërjes kimike të këtyre atmosferave. Nuk do ta dimë me siguri absolute se bëhet fjalë për jetë. Por mendoj se, sa më shumë të dhëna të mblidhen dhe nëse të njëjtat shenja shihen në disa sisteme të ndryshme, jo vetëm në këtë planet të veçantë, aq më e madhe do të jetë bindja jonë.»
Rrjeti botëror i internetit u krijua përmes një vargu përparimesh teknologjike graduale, të cilat në atë kohë jo domosdoshmërisht dukeshin me pasoja të jashtëzakonshme.
Në mënyrë të ngjashme, njerëzit mund ta kuptojnë më vonë se ka ndodhur ndoshta shndërrimi më i madh shkencor, kulturor dhe shoqëror në gjithë historinë njerëzore, por se çasti kur pesha e provave anoi në favor të ekzistencës së jetës tjetër në Univers nuk u njoh plotësisht në kohën kur ndodhi.
Një zbulim shumë më përfundimtar do të ishte gjetja e jetës në vetë sistemin tonë diellor, duke përdorur sonda robotike hapësinore të pajisura me laboratorë portativë. Çdo mikrob jashtëtokësor mund të analizohej, madje ndoshta të sillej në Tokë, duke ofruar prova të drejtpërdrejta që, së paku, do t’i kufizonin ndjeshëm kundërshtimet shkencore që mund të pasonin.
Vitet e fundit, të dhënat e dërguara nga sonda të ndryshme hapësinore e kanë forcuar argumentin shkencor për mundësinë e ekzistencës së jetës, sot ose në të kaluarën, në sistemin tonë diellor. Për këtë arsye, disa misione për të kërkuar shenja të saj janë tashmë në përgatitje ose në udhëtim.
Automjeti robotik ExoMars i Agjencisë Hapësinore Evropiane, i planifikuar të lëshohet në vitin 2028, do të shpojë nën sipërfaqen e Marsit për të kërkuar shenja të jetës së kaluar dhe ndoshta edhe të jetës së sotme. Megjithatë, duke pasur parasysh kushtet ekstreme në Mars, rezultati më i mundshëm është zbulimi i gjurmëve të fosilizuara të jetës së dikurshme.
Misioni kinez Tianwen-3, gjithashtu i planifikuar të lëshohet në vitin 2028, është projektuar për të mbledhur mostra dhe për t’i sjellë në Tokë deri në vitin 2031. NASA dhe Agjencia Hapësinore Evropiane kanë secila nga një sondë që po udhëton drejt hënave të akullta të Jupiterit, për të parë nëse nën sipërfaqet e tyre të ngrira mund të ketë ujë, ndoshta edhe oqeane të mëdha.
Por këto sonda nuk janë projektuar për të zbuluar vetë jetën. Sipas profesoreshës Michele Dougherty, nga Imperial College në Londër, ato po përgatisin terrenin për misione të ardhshme që do ta bëjnë këtë. «Është një proces i gjatë dhe i ngadaltë», thotë ajo. «Vendimi i radhës do të ishte dërgimi i një mjeti ulës: në cilën hënë do të shkonte dhe ku do të duhej të ulej.
Nuk do të donim të uleshim atje ku korja e akullit është aq e trashë, sa nuk ka asnjë mënyrë për të depërtuar nën sipërfaqe. Pra, është një përpjekje afatgjatë, që ecën ngadalë, por rrugëtimi është mjaft emocionues.»
NASA po dërgon gjithashtu një mjet hapësinor të quajtur Dragonfly, i cili do të ulet në Titan, një nga hënat e Saturnit, në vitin 2034. Ai është një botë ekzotike, ku mendohet se ka liqene dhe re të përbëra nga substanca kimike të pasura me karbon. Këto i japin një mjegullnajë të pazakontë portokalli, që të sjell ndër mend këngën e Beatles-ave, Lucy in the Sky with Diamonds: një botë me «qiej ngjyrë marmelate».
Së bashku me ujin, këto substanca kimike mendohet se janë përbërës të domosdoshëm për jetën. Profesoresha Dougherty është një nga shkencëtaret kryesore të fushës së shkencave planetare. A mendon ajo se ka jetë në ndonjërën prej hënave të akullta të Jupiterit ose Saturnit? «Do të habitesha shumë nëse nuk do të kishte», thotë ajo, me fytyrën që i ndriçon nga gëzimi.
«Duhen tri gjëra: një burim nxehtësie, ujë i lëngshëm dhe substanca kimike organike, me bazë karboni. Nëse i kemi këta tre përbërës, gjasat që jeta të mund të formohet rriten jashtëzakonisht shumë.»
Zbehja e «veçantisë» njerëzore
Nëse zbulohet se ekzistojnë forma të thjeshta jete, kjo nuk garanton se ka edhe forma më të ndërlikuara.
Profesori Madhusudhan beson se, nëse konfirmohet, jeta e thjeshtë duhet të jetë «mjaft e përhapur» në galaktikë. «Por kalimi nga jeta e thjeshtë te jeta komplekse është një hap i madh dhe kjo mbetet një çështje e hapur. Si ndodh ky hap? Cilat janë kushtet që e përcaktojnë? Këtë nuk e dimë. Dhe pastaj, kalimi prej andej te jeta inteligjente është një tjetër hap i madh.»
Dr. Robert Massey, zëvendësdrejtor ekzekutiv i Shoqatës Mbretërore Astronomike, pajtohet se shfaqja e jetës inteligjente në një botë tjetër është shumë më pak e mundshme sesa ajo e jetës së thjeshtë. «Kur shqyrtojmë shfaqjen e jetës në Tokë, shohim se ishte një proces jashtëzakonisht kompleks. U desh kaq shumë kohë që të shfaqej jeta shumëqelizore dhe më pas të evoluonte në forma të larmishme.
Pyetja e madhe është nëse Toka kishte diçka të veçantë që e bëri të mundur atë evolucion. A nevojiten pikërisht të njëjtat kushte, përmasat e planetit tonë, oqeanet dhe masat tokësore, që kjo të ndodhë në botë të tjera, apo do të ndodhë pavarësisht tyre?»
Ai beson se zbulimi edhe i jetës së thjeshtë jashtëtokësore do të ishte kapitulli më i ri në zvogëlimin e rëndësisë së vendit që njerëzimi i jep vetes në kozmos.
Siç shprehet ai, shekuj më parë besonim se ishim në qendër të Universit dhe, me çdo zbulim astronomik, e kemi gjetur veten «gjithnjë e më larg» asaj qendre. «Mendoj se zbulimi i jetës diku tjetër do ta zvogëlonte edhe më shumë ndjenjën tonë të veçantisë», thotë ai.
Nga ana tjetër, profesoresha Dougherty beson se një zbulim i tillë në sistemin tonë diellor do t’i bënte mirë shkencës dhe shpirtit njerëzor. «Zbulimi edhe i jetës së thjeshtë do të na mundësojë ta kuptojmë më mirë se si mund të kemi evoluar në atë të kaluar jashtëzakonisht të largët, kur nisi evolucioni ynë. Pra, për mua, kjo na ndihmon të gjejmë vendin tonë në Univers.
Nëse e dimë se ka jetë diku tjetër në sistemin tonë diellor dhe ndoshta përtej tij, kjo, në njëfarë mënyre, do të më jepte ngushëllim. Të dish se jemi pjesë e diçkaje më të madhe, do të na bëjë edhe ne më të mëdhenj.»
Kurrë më parë shkencëtarët nuk kanë kërkuar me kaq ngulm jetë në botë të tjera dhe kurrë më parë nuk kanë pasur mjete kaq të jashtëzakonshme për ta bërë këtë. Shumë nga ata që punojnë në këtë fushë besojnë se pyetja është kur do të zbulohet jeta në botë të tjera, jo nëse do të zbulohet. Dhe, sipas profesorit Madhusudhan, zbulimi i jetës jashtëtokësore do të sjellë shpresë, jo frikë.
«Kur të shohim qiellin, nuk do të shohim vetëm objekte fizike, yje dhe planetë; do të shohim një qiell të gjallë. Pasojat shoqërore të kësaj janë të jashtëzakonshme. Do të jetë një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si e shohim veten në skenën kozmike.
Do ta ndryshojë në themel psikikën njerëzore, mënyrën si e shohim veten dhe njëri-tjetrin. Çdo pengesë gjuhësore, politike apo gjeografike do të shkrihet, teksa kuptojmë se të gjithë jemi një. Dhe kjo do të na afrojë më shumë», vazhdon ai. «Do të jetë një hap tjetër në evolucionin tonë.» / BBC – Bota.al