nga Lutfi Dervishi
Hakërrimi dhe një meritë aksidentale e Kryeministrit
Të lidhura
None found
Kryeministri ka një meritë që ndoshta nuk ia kemi njohur sa duhet. Në këto ditë krize, ai po na ndihmon të kuptojmë se në Shqipëri ka ende institucione dhe individë brenda tyre që nuk e konsiderojnë fjalën e tij si burimin e vetëm të së drejtës.
Ai flet i nervozuar ndaj prokurorit për çështjen e biznesit të pronarit të medias News 24, shpreh pakënaqësi publikisht ndaj gjyqtarëve për vendimet ndaj protestuesve dhe përplaset me administratën tatimore për çështje që prekin rrethin e tij të ngushtë politik.
Në pamje të parë, këto duken si episode të zakonshme të një pushteti të irrituar. Mirëpo, treguesit mund të lexohen edhe ndryshe: nëse kryeministri detyrohet të shprehë publikisht pakënaqësinë ndaj vendimeve apo veprimeve institucionale, kjo është një shenjë se jo gjithçka po funksionon sipas vullnetit të tij dhe pikërisht këtu fshihet një fije shprese.
Ndoshta në administratë, në prokurori dhe gjykata ka gjithnjë e më shumë njerëz që po kuptojnë një të vërtetë të stërprovuar nga koha: në kohë krize, mbrojtja më e mirë nuk është besnikëria ndaj pushtetit apo liderit, por besnikëria ndaj ligjit.
Në një diktaturë, nga pikëpamja institucionale, nuk ka ngjarje të papritura. Zero! Vendimet merren në një zyrë të vetme, nga një dorë e vetme, dhe zbatohen ashpër kudo. Nuk ka përplasje kompetencash, sepse e vetmja kompetencë është vullneti i liderit.
Në demokraci, përkundrazi, institucionet mund dhe duhet të dinë të thonë “jo”. Forca e një demokracie nuk matet me sa i pushtetshëm është kryeministri, por me sa të qëndrueshme janë institucionet kur ai është i pakënaqur me to.
Kriza e sotme është një sprovë e vërtetë për shtetin shqiptar, e cila shtrihet në çdo hallkë të tij. Policia e Shtetit, për mënyrën se si ka vepruar ndaj protestuesve, në jo pak raste meriton një notë jokaluese, pasi përdorimi i forcës, proporcionaliteti, sjellja e punonjësve dhe mosrespektimi i procedurave ligjore kërkojnë hetim serioz e përgjegjësi individuale ku uniforma nuk mund të shërbejë si mburojë për paligjshmërinë.
Në provë është prokuroria, e cila duhet të hetojë pa asnjë dallim si protestuesit që kanë shkelur ligjin, ashtu edhe efektivët e policisë që mund të kenë abuzuar me detyrën.
Në provë janë gjithashtu gjykatat, nëse do të gjykojnë mbi bazën e provave dhe ligjit apo do të llogarisin temperaturën politike të ditës.
Struktura si SPAK-u duket se vijojnë punën sikur po kalojmë një ditë të qetë pranvere. Po kështu, mjekësia dhe mjekësia ligjore janë në provë për të dokumentuar me profesionalizëm e paanshmëri dëmtimet, ndërsa institucionet e pavarura duhet të tregojnë nëse do të ushtrojnë kompetencat e tyre kushtetuese apo do të presin të kuptojnë se nga po fryn era. Mbi të gjitha, në provë janë edhe media dhe shoqëria civile, detyra e të cilave nuk është të mbajnë anën e qeverisë apo të protestuesve, e as të fshihen pas një neutraliteti steril të tipit “ai tha kështu, ky tha ashtu”, por të verifikojnë faktet, të thonë të vërtetën dhe të kërkojnë llogari nga kushdo.
Emëruesi i përbashkët i të gjitha këtyre sfidave është vetëm zbatimi i ligjit, si garancia më e mirë e stabilitetit dhe e vetmja rrugëdalje nga kriza.
Prandaj, ndoshta vërtet jemi më pranë Evropës nga sa mendojmë. Jo sepse kryeministri po na siguron se po na çon atje, pasi Evropa nuk është një destinacion gjeografik ku të dërgon dikush, por një standard që ndërtohet këtu, por sepse brenda institucioneve ka njerëz që po kuptojnë se Evropa fillon pikërisht aty ku mbaron nënshtrimi ndaj pushtetit personal.
Nëse kjo po ndodh realisht, këtë meritë, duhet t’ia njohim edhe kryeministrit.





