Një qese e zezë me rreth një kilogram marihuanë është gjetur te B.B. (40) nga Gostivari, i cili u ndalua pranë pikës kufitare Qafë Thanë, në zonën e Strugës, njoftoi MPB.
Ndalimi u krye më 21.10.2026, në orën 20:50, nga oficerët e Ekipit Mobil “Task Force” të Qendrës Rajonale për Çështje Kufitare “Perëndim” – Ohër, së bashku me Stacionin Policor për Mbikëqyrje Kufitare Frangovë.
Të lidhura
None found
Sipas MPB-së, lënda narkotike u zbulua gjatë zbatimit të masave dhe veprimeve për luftimin e trafikimit të paligjshëm të drogës.
Për rastin është vënë në dijeni një prokuror publik i Prokurorisë Themelore Publike në Strugë.
MPB bëri të ditur se, sapo të përfundojë dokumentimi i plotë i rastit, Qendra Rajonale për Çështje Kufitare “Perëndim” – Ohër do të paraqesë kallëzimin përkatës penal ndaj të ndaluarit. /Telegrafi/






