Samiti i Procesit të Berlinit, komisionerja Kos: Muajt në vijim, vendimtarë për rrugën drejt BE-së për Ballkanin Perëndimor

Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka hapur ceremoninë e pritjes së Samitit të Procesit të Berlinit, që po zhvillohet në Mal të Zi, duke theksuar se muajt në vijim do të jenë të rëndësishëm për përcaktimin e rrugëtimit europian të vendeve të rajonit.
Gjatë fjalës së saj, Kos nënvizoi vendosmërinë për të çuar përpara integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, duke evidentuar sfidat dhe prioritetet specifike për secilin prej tyre.
Për Malin e Zi, fokusi do të jetë te mbyllja e kapitujve të negociatave për anëtarësimin në BE. Sa i përket Serbisë, Kos iu referua zgjedhjeve të së dielës së ardhshme si një moment me rëndësi për zhvillimet në vend. Për Shqipërinë, ajo vlerësoi vijimin e përparimit në rrugën drejt Bashkimit Europian, ndërsa për Kosovën theksoi rëndësinë e vazhdimit të punës për sundimin e ligjit.
“Jemi të vendosur që vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e Bashkimit Europian. Muajt në vijim do të jenë të rëndësishëm për të përcaktuar rrugëtimin e vendeve drejt BE-së. Për Malin e Zi, fokusi do të jetë mbyllja e kapitujve të negociatave; për Serbinë, zgjedhjet e së dielës së ardhshme; për Shqipërinë, vijimi i përparimit drejt Bashkimit Europian; ndërsa për Kosovën, vazhdimi i punës për sundimin e ligjit. Samiti i sotëm mbledh liderët e rajonit për të diskutuar të ardhmen e tyre europiane”, tha Kos.
Samiti i sotëm mbledh liderët e vendeve të rajonit për të diskutuar të ardhmen e tyre europiane, në një moment kur integrimi në BE mbetet një prej prioriteteve kryesore të agjendës politike të Ballkanit Perëndimor.
Takimi zhvillohet në Miloçer dhe Sveti Stefan, pranë Budvës, në Mal të Zi, dhe përbën një mundësi për të diskutuar hapat e mëtejshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në samit marrin pjesë kryeministri shqiptar Edi Rama, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri i Malit të Zi Milojko Spajić, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryeministri i Kroacisë Andrej Plenković, kancelari austriak Christian Stocker dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski.
Në qendër të diskutimeve janë avancimi i integrimit europian, zbatimi i reformave të kërkuara nga Brukseli, bashkëpunimi ekonomik dhe projektet rajonale që synojnë forcimin e ndërlidhjes mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



