Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, deklaroi në fjalën e tij në Kuvend se Grupi Parlamentar i PD-së mbështet protestën studentore dhe dënon dhunën e ushtruar ndaj të rinjve.
Këlliçi u shpreh se Shqipëria po përjeton ditën e dhjetë të një lëvizjeje të fuqishme studentore, duke e cilësuar atë si një revoltë kundër modelit të qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.
Sipas deputetit demokrat, pushteti është përqendruar në duart e kryeministrit, ndërsa kjo situatë, sipas tij, po e largon vendin nga e ardhmja europiane.
“Sot është dita e 10 që Shqipëria po përjeton lëvizjen më të fuqishme studentore. Shteti është kapur nga pushteti absolut i Ramës. Kjo lëvizje është revoltë ndaj modelit të krijuar nga Rama që po e largon Shqipërinë nga e ardhmja europiane”, deklaroi Këlliçi në Kuvend.
Ai theksoi se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të vijojë të qëndrojë në krah të studentëve dhe të çdo qytetari që proteston për atë që e cilësoi si dinjitet.
Këlliçi dënoi gjithashtu ndërhyrjet e policisë ndaj protestuesve, duke i cilësuar ato si dhunë të papranueshme ndaj të rinjve dhe të rejave.
“Grupi parlamentar i PD do mbetet në krah të studentëve dhe çdo qytetari që proteston për dinjitet. Dënojmë dhunën shtazarake ndaj studentëve, reprezaljet që u bëhen të rinjve dhe të rejave dhe shantazhin që kryeministri i delegjitimuar ka kryer çdo ditë”, u shpreh deputeti demokrat.
