Rritet numri i rasteve me viroza tek fëmijët/Rreth 30 raste në ditë në pediatrinë e spitalit të Sarandës

Shëndet | 2 minuta më parë

Ky sezon është shoqëruar me rritje të virozave të stinës dhe infeksioneve të rrugëve të sipërme respiratore, të cilat janë bërë një nga arsyet kryesore të paraqitjes së fëmijëve në shërbimin e pediatrisë në Spitalin e Sarandës.

Sipas mjekes pediatre Irisa Duka, në këtë shërbim regjistrohen çdo ditë rreth 20 deri në 30 raste fëmijësh që paraqiten me simptoma të virozave, si temperaturë, kollë, sekrecione dhe infeksione të rrugëve të sipërme respiratore. Ajo thekson se këto janë patologji të zakonshme për këtë periudhë të vitit, por që kërkojnë vëmendje të shtuar, sidomos tek fëmijët e vegjël.

“Ne kemi hartuar një plan-projekt që përfshin rreth 650 hektarë. Gjithsesi, do të fillojmë me sipërfaqe të kufizuara, pasi ndërhyrja në të gjithë këtë sipërfaqe do të kishte një kosto shumë të lartë. Në zonat më problematike do të ndërhyhet të paktën gjatë kësaj vjeshte dhe në fillim të pranverës”, u shpreh Irisa Duka.

Duka u bën thirrje prindërve që të tregojnë kujdes të shtuar në rastet kur fëmijët shfaqin temperaturë apo simptoma të ngjashme, duke mos i neglizhuar dhe duke ndjekur këshillat e mjekut. Ajo rekomandon marrjen e masave të thjeshta në shtëpi, si hidratimi i mjaftueshëm dhe monitorimi i gjendjes së fëmijës, ndërsa në rast përkeqësimi të kërkohet menjëherë ndihmë mjekësore.

“Prindërve u rekomandohet të menaxhojnë simptomat, kryesisht temperaturën, dhe në rastet kur ajo është e vështirë për t’u menaxhuar, të paraqiten pranë shërbimit spitalor”, tha ajo.

Mjekët theksojnë se virozat e stinës dhe infeksionet respiratore mbeten problematika më e shpeshtë tek fëmijët gjatë kësaj periudhe. Ata apelojnë për kujdes të shtuar nga prindërit dhe ndërhyrje në kohë, në mënyrë që rastet të menaxhohen sa më shpejt dhe pa komplikacione.

Gazetare: B. Gjyli

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme