
Tensione dhe përplasje fizike janë shënuar këtë të enjte në Kuvend, ku deputeti i Partisë Demokratike, Fidel Kreka, ka sulmuar ish-ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha, duke e goditur me bllokun e votimit në kokë.
Situata është përshkallëzuar në sallën e Kuvendit, ku Kreka ka tentuar të godasë edhe deputetin e PS-së, Bledi Çuçi. Ndërhyrja e Gardës ka bërë të mundur parandalimin e një përplasjeje të mëtejshme mes deputetëve. Ngjarja ka shkaktuar tensione në sallë, duke rikthyer në vëmendje klimën e përplasjes mes përfaqësuesve politikë gjatë zhvillimit të punimeve parlamentare.
Kreka fillimisht iu është afruar deputetëve të PS-së dhe ka nisur përplasja me fjalë. Më pas, është parë ish-ministri Ervin Hoxha t’i afrohet, duke kërkuar që të qetësohet situata. Më pas, Kreka i është kthyer këtij të fundit, duke e shtyrë me të dyja duart. Në atë moment, situata ka agravuar, ku Hoxha ka tentuar t’i kthehet, por ka ndërhyrë menjëherë Garda, si dhe deputetët e tjerë.
Përplasja ka vijuar mes tyre me sharje banale nga të dyja palët, teksa në anën e Krekës ishin kolegët e tij, Garda në mes, ndërsa në anën e Hoxhës ishin kolegët e tij, të cilët tentonin ta qetësonin.
