Aksioni kundër kontrabandës në veri, sekuestrohen mallra mbi 200 mijë euro dhe 22 automjete

Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Policia e Kosovës kanë dalë me detaje lidhur me aksionin kundër kontrabandës në veri të vendit, gjatë të cilit janë sekuestruar mallra me vlerë doganore mbi 200 mijë euro dhe 22 automjete të llojeve të ndryshme.
Sipas komunikatës së përbashkët, aksioni është rezultat i hetimeve disamujore, të zhvilluara në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Hetimet kishin nisur në prill të vitit 2026, ndërsa autoritetet kanë identifikuar rrugët ilegale përmes të cilave mallrat dyshohet se futeshin nga Serbia në Kosovë, duke iu shmangur kontrolleve doganore.
“Zbatimi i këtyre masave ka mundësuar zbulimin e lokacioneve dhe të rrugëve ilegale përmes të cilave mallrat futeshin në territorin e Republikës së Kosovës, identifikimin e personave dhe të automjeteve të përfshira”, thuhet në komunikatë.
Sipas Prokurorisë, gjatë periudhës maj-shtator 2026 janë zhvilluar mbi 20 aksione në zonat kufitare dhe në vendbanimet e komunave të Zubin Potokut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut.
Gjatë hetimeve është dyshuar se mallrat shkarkoheshin në objekte të marra me qira dhe më pas shpërndaheshin në treg. Po ashtu, autoritetet kanë konstatuar se automjetet e përdorura për këtë veprimtari, në shumicën e rasteve, ishin të modifikuara, me ulëset e pasme të hequra për të krijuar hapësirë për transportin e mallrave.
“Vozitësit, me të vërejtur praninë e zyrtarëve policorë, i braktisnin automjetet dhe largoheshin nga vendi”, bëhet e ditur në komunikatë.

Gjatë aksioneve, përfshirë edhe atë të zhvilluar të enjten, më 22 tetor, janë sekuestruar mbi 22 automjete, përfshirë kamionë, furgonë, xhipa dhe vetura.
Vlera doganore e mallrave të sekuestruara kalon 200 mijë euro, pa përfshirë taksat dhe detyrimet e tjera.
Mallrat e sekuestruara përfshijnë produkte ushqimore, pije alkoolike dhe joalkoolike, pije energjike, cigare, barna pa banderola, produkte higjienike dhe tekstil. Në mesin e tyre janë gjetur edhe veshje me marka të mbrojtura tregtare, për të cilat dyshohet se nuk kishte autorizime apo licenca përkatëse.
Një rast i veçantë është evidentuar me 504 shpezë të gjalla, të cilat ishin pa origjinë dhe pa certifikatë shëndetësore.
“Me vendim të inspektorit veterinar, janë asgjësuar për shkak të rrezikut për shëndetin e njerëzve”, njofton Prokuroria.
Sipas komunikatës, hetimet zhvillohen nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Kontrabandimi i mallrave”, nga neni 311, dhe “Tregtia e ndaluar”, nga neni 299 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Autoritetet bëjnë të ditur se janë identifikuar personat e dyshuar për përfshirje në këtë veprimtari, ndaj të cilëve procedura penale është duke vazhduar.
Prokuroria thekson se hetimet janë në fazën përfundimtare dhe se vendimet përkatëse do të merren pas vlerësimit të të gjitha provave të siguruara, brenda afateve ligjore.

Sipas institucioneve, qëllimi i hetimeve është parandalimi i futjes në treg të mallrave që nuk u janë nënshtruar procedurave të importit dhe zhdoganimit, veçanërisht i produkteve ushqimore dhe barnave, për të cilat nuk dihen origjina, kushtet e ruajtjes dhe transportit apo afati i përdorimit.
Autoritetet kanë vlerësuar se kjo veprimtari e dyshuar jo vetëm që mund të paraqesë rrezik për shëndetin e qytetarëve, por edhe dëmton buxhetin e shtetit dhe bizneset që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në përputhje me ligjin. /Telegrafi/




































