Liderë të shqetësuar druhen se trazirat që kanë shpërthyer në mbarë Evropën po nxiten nga agjentët e Putinit, si një formë e re e luftës hibride të Kremlinit. Policia po përgatitet për një valë të re trazirash pas dhunës së javës së kaluar, ndërsa për të shtunën është planifikuar një marshim masiv në Paris. Përleshje të dhunshme kanë përfshirë kryeqytetin francez, Milanon dhe qytete të tjera të mëdha, ku protestat për koston e jetesës janë shndërruar në plaçkitje masive dhe zjarrvënie. Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka kërkuar të informohet mbi rolin që mund të kenë luajtur aktorët rusë në këto trazira, bënë të ditur burime për Bloomberg. Përmasat e trazirave i kanë shtyrë zyrtarët të pyesin veten nëse ka pasur ndërhyrje nga aktorë të huaj armiqësorë. Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, deklaroi të martën: “Ngjarjet në Milano dhe gjetkë në Itali janë thelbësisht të ndryshme nga ato që janë parë në periudha të tjera. “Ato janë produkt i asaj që unë e quaj ‘luftë hibride’, të cilën dikush po e sjell në vendet tona përmes mjeteve jokonvencionale si TikTok-u, rrjetet sociale dhe YouTube-i, pa e kuptuar Perëndimi dhe pa reaguar ai.” Qeveria e Melonit po përgatitet të përballet me një valë të re protestash të planifikuara për fundjavën e ardhshme. Kjo përfshin plane për të dislokuar 500 trupa në Milano, ku përleshjet kanë marrë përmasa veçanërisht të dhunshme, deri në fund të vitit. Ndërkohë, aktivistë të së majtës në Francë kanë njoftuar plane për të marshuar në qendër të Parisit të shtunën, ndërsa Emmanuel Macron ka theksuar se kaosi i fundjavës së kaluar nuk do të përsëritet. Lëvizja “Gilet Jaunes” (Jelekët e Verdhë), e cila do të udhëheqë protestën, kundërshton atë që e cilëson si rritje të shpejtë të kostos së jetesës dhe përkeqësim të shërbimeve publike. Edhe qeveria franceze njoftoi se do të dislokojë ushtrinë, si dhe forca shtesë policore, në rrugët e Parisit gjatë këtij fundjave.