Trajneri i Ulpianës, Fadil Ademi, ka vlerësuar ecurinë e skuadrës në Ligën e Dytë të Kosovës, ku lipjanasit aktualisht renditen në vendin e parë dhe synojnë inkuadrimin në Ligën e Parë.

Ademi në një intervistë për Telegrafin është shprehur i kënaqur me paraqitjet e futbollistëve, duke theksuar se organizimi i klubit dhe angazhimi i lojtarëve kanë qenë ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rezultatet pozitive të deritanishme.


Sa i përket garës për inkuadrim, trajneri i Ulpianës ka theksuar se konkurrenca është e madhe dhe se skuadra duhet të ruajë përqendrimin në çdo ndeshje, ndërsa ka falënderuar tifozët për mbështetjen e vazhdueshme.

Ulpiana po kalon një sezon shumë të mirë dhe aktualisht prin në tabelën e Ligës së Dytë. Si e vlerësoni rrugëtimin e skuadrës deri më tani dhe cilët kanë qenë faktorët kryesorë që ju kanë sjellë në këtë pozitë?

Ademi: Kemi pasur një ecuri shumë të mirë deri më tani, falë paraqitjeve pozitive të futbollistëve dhe organizimit të klubit, veçanërisht nën udhëheqjen e re të vëllezërve Dragaqina. Këta faktorë kanë ndikuar që skuadra të ketë rezultate të mira dhe të jetë në krye të tabelës.

Duke qenë se Ulpiana shihet si një nga pretendentët kryesorë për inkuadrim në Ligën e Parë, sa besoni se skuadra ka potencialin për ta arritur këtë objektiv dhe çfarë do të jetë vendimtare në vazhdim të kampionatit?

Ademi: Po, jemi pretendentë për inkuadrim, por krahas nesh janë edhe të paktën pesë skuadra të tjera që synojnë të njëjtin objektiv. Megjithatë, ende është herët për të bërë parashikime, pasi ka shumë ndeshje deri në fund të kampionatit. Besoj se kemi potencialin e duhur për ta arritur këtë synim, por është e domosdoshme të jemi të përqendruar dhe të japim maksimumin në çdo ndeshje, sepse Liga e Dytë është një garë shumë e paparashikueshme.

Gara për vendin e parë mbetet e hapur, sidomos me Sharrin që ju ndjek nga afër. Sa e vështirë do të jetë ta ruani kreun e tabelës dhe si po përgatitet skuadra për sfidat e ardhshme?

Ademi: Gara mbetet e hapur, jo vetëm me Sharrin, por edhe me Drinin, Besën e Artë dhe F.Kosovën, si dhe skuadra të tjera që synojnë pozitat e para. Ne do të mundohemi ta ruajmë vazhdimësinë e rezultateve dhe këtë qasje që futbollistët po e tregojnë në çdo ndeshje.

Angazhimi, vullneti dhe dëshira e tyre për të dhënë kontributin maksimal janë shumë të rëndësishme për ne dhe shpresojmë t'i ruajmë këto elemente deri në fund të kampionatit.

Si trajner, sa jeni i kënaqur me angazhimin dhe nivelin e futbollistëve deri më tani, dhe a mendoni se Ulpiana ka ende hapësirë për përmirësim në lojë dhe rezultate?

Ademi: Jam shumë i kënaqur me angazhimin e futbollistëve. Nga 11 ndeshje të zhvilluara, kemi arritur 10 fitore dhe një barazim, pa pësuar asnjë humbje, që është një ecuri shumë e mirë. Do të mundohemi që kjo atmosferë pozitive dhe buzëqeshja e futbollistëve të vazhdojnë sa më gjatë. Natyrisht, gjithmonë ka hapësirë për përmirësim dhe duhet të punojmë vazhdimisht për t'u bërë edhe më të mirë.

Cili është mesazhi juaj për tifozët e Ulpianës, të cilët presin që skuadra të vazhdojë me këto rezultate dhe ta sigurojë inkuadrimin në Ligën e Parë në fund të sezonit?

Ademi: I falënderoj pa masë tifozët që na mbështesin dhe vijnë të na përcjellin në çdo ndeshje, si në Lipjan, ashtu edhe në udhëtimet jashtë tij. I siguroj se skuadra do të vazhdojë të tregojë shpirt garues deri në momentin e fundit, me synimin e vetëm që Ulpianës t'ia kthejmë namin e dikurshëm. /Telegrafi/