KGjK-ja cakton gjyqtarët mbikëqyrës në degët e gjykatave dhe emëron administratorin e Dhomës së Posaçme

Këshilli Gjyqësor i Kosovës po zhvillon mbledhjen e 373-të, në të cilën janë përfshirë 38 pika të rendit të ditës. Ndër çështjet e shqyrtuara janë emërimet e gjyqtarëve mbikëqyrës në disa degë të gjykatave themelore, si dhe përzgjedhja e administratorit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Administratori i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës është zgjedhur Leutrim Hoti, i cili mori 6 vota për. Mandati i tij do të zgjasë katër vjet dhe nis nga data e sotme.

Të lidhura

None found

Për gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Ferizaj, Dega në Shtërpcë, u zgjodh Faton Ajvazi me 10 vota për. Në garë për këtë pozitë ishin edhe Lela Petkoviq dhe Magdalena Millosheviq. Sipas anëtarit të KGjK-së, Artan Abazi, Komisioni për Rekrutimin kishte vlerësuar se performanca e Petkoviqit dhe Millosheviqit ishte nën nivelin “shumë mirë”, ndaj ato nuk kaluan në fazën e intervistimit.

Nehat Qelaj mori 9 vota dhe u emërua gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Dega në Malishevë. Mandati i tij është pesëvjeçar dhe fillon nga sot.

Avni Berisha, i vetmi kandidat për këtë funksion, u emërua gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Dega në Rahovec. Edhe mandati i tij do të jetë pesëvjeçar.

Në Gjykatën Themelore në Pejë, Dega në Klinë, Blerta Kelmendi u zgjodh gjyqtare mbikëqyrëse me 9 vota. Ajo ishte kandidatja e vetme dhe do të ketë mandat pesëvjeçar.

Valon Hajdini, i cili ishte kandidati i vetëm, u zgjodh me 10 vota gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, Dega në Skenderaj. Në të njëjtën gjykatë, Naim Rekaliu u zgjodh me 11 vota për të ushtruar detyrën e gjyqtarit mbikëqyrës në Degën në Vushtrri.

Emërimet dhe zgjedhjet e miratuara gjatë mbledhjes përbëjnë pjesë të pikave të përcaktuara në agjendën e punës së KGjK-së.


Shtuar më 22.10.2026 12:10