Ukraina ende nuk ka marrë përgjigje nga Pentagoni apo nga kompania SpaceX e Elon Muskut lidhur me kufizimet në komunikimet satelitore që përdor ushtria e saj, i tha Radios Evropa e Lirë (REL) diplomati më i lartë ukrainas në Uashington. Në të njëjtën kohë, po shtohen thirrjet dypartiake në Kongresin amerikan për nisjen e një hetimi.
“Kufizimet e shpejtësisë nuk janë hequr”, i tha REL-it Denys Sienik, i ngarkuari me punë i Ukrainës në Shtetet e Bashkuara. Ai shtoi se Kievi nuk ka marrë përgjigje as nga Pentagoni, as nga SpaceX.
Mosmarrëveshja lidhur me Starlink-un dhe Starshield-in, versionin e tij për përdorim ushtarak, ka ngritur pikëpyetje se kush i autorizoi kufizimet, nëse administrata e Trumpit ishte në dijeni të tyre paraprakisht dhe si ndikuan ndryshimet në aftësinë e Ukrainës për t’u mbrojtur nga sulmet ruse.
Më 21 tetor, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e mohoi që presidenti Donald Trump apo ndonjë zyrtar tjetër i Qeverisë amerikane kishte kërkuar ndryshime në këto sisteme. Megjithatë, një delegacion i Kongresit që vizitoi së fundmi Kievin tha se kufizimet kishin dobësuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës dhe kishin vënë në rrezik personelin amerikan.
Ndërprerjet në sistemin satelitor Starshield, versioni i shërbimit Starlink të SpaceX i përshtatur për përdorim ushtarak, tek i cili Kievi mbështetet shumë për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore ruse, e kanë lënë Ukrainën veçanërisht të cenueshme qëkurse u raportua për herë të parë për kufizime, më 13-14 tetor.
Rusia ndërmori sulme të reja gjatë natës ndaj Kievit më 21 tetor, duke vrarë një person dhe plagosur të paktën 22 të tjerë, përfshirë katër fëmijë, sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës. Sipas raportimeve, raketat goditën banesa, një stacion të ambulancave dhe një pikë karburanti, ndërsa përpjekjet diplomatike për rifillimin e bisedimeve të paqes po vazhdojnë.
“Gjatë natës, banorët e Kievit e dëgjuan se si tingëllon në të vërtetë ‘humanizmi’ rus”, shkroi në X ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha. “Lëshimet, nënshtrimi dhe lajkat nuk do ta ndalin këtë luftë. Vetëm forca do ta bëjë këtë”, shtoi ai.
Mbrojtja ajrore është dobësuar
Dan Rice, ish-këshilltar i posaçëm i komandantit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës dhe president i Universitetit Amerikan në Kiev, i tha REL-it se në këtë polemikë ishin ndërthurur disa çështje të ndryshme: shkëmbimi i informacioneve të inteligjencës, kufizimet e shpejtësisë në komunikimet satelitore dhe dërgesat e raketave për sistemet e mbrojtjes ajrore, Patriot.
Rice tha se besonte që Rubio po i referohej shkëmbimit të informacioneve të inteligjencës kur këmbënguli se Shtetet e Bashkuara nuk e kishin ndërprerë ndihmën për Ukrainën.
“Informacionet e inteligjencës u ndanë”, tha Rice, duke shtuar se një problem teknik kishte penguar dërgimin e njoftimeve për sulme ajrore në telefonat e njerëzve. “Nëse sekretari Rubio thotë se nuk ka pasur ndërprerje të shkëmbimit të informacioneve të inteligjencës, unë e besoj”.
Ky dallim është i rëndësishëm, sepse vazhdimi i shkëmbimit të informacioneve të inteligjencës nuk do të thotë patjetër se lidhja satelitore nuk është prekur.
Gjatë një informimi për shtyp më 21 tetor, një këshilltar i demokratëve në Senat, i cili sapo ishte kthyer nga Kievi, tha se delegacioni kishte parë dronë dhe raketa ruse që i afroheshin kryeqytetit me paralajmërime paraprake jashtëzakonisht të kufizuara.
Këshilltari tha se kufizimet në Starshield ishin në fuqi gjatë vizitës së delegacionit, nga 13 deri më 16 tetor, dhe se, sipas vlerësimit të tij, ato kishin vënë në rrezik si civilët ukrainas, ashtu edhe personelin amerikan.
Dronët rusë Shahed me motor reaktiv, të cilët mund të lëvizin me shpejtësi prej rreth 450 kilometra në orë, ose më shumë, janë sfidë e veçantë. Sipas raportimeve, kufizimet e shpejtësisë në Starshield fillimisht ishin vendosur në rreth 97 kilometra në orë, ndërsa më vonë u rritën në 161 kilometra në orë. Kjo nënkuptonte se sistemi mund ta humbiste lidhjen me objektet që lëviznin më shpejt.
Rubio mohon përfshirjen e SHBA-së
Duke folur në Mumbai më 21 tetor, Rubio theksoi se Starlink dhe Starshield janë dy sisteme të veçanta.
Starlink është një shërbim komercial i internetit satelitor, i cili mund të përdoret edhe për drejtimin e dronëve, tha ai. Ndërsa Starshield është një produkt i specializuar për mbrojtjen, i cili shitet dhe vepron përmes Departamentit amerikan të Mbrojtjes.
Rubio tha se nuk e kishte lexuar raportimin e gazetës The Ëall Street Journal, sipas të cilit Musk kishte urdhëruar ngadalësimin e sistemit. Ai mohoi që Trumpi ose zyrtarë të tjerë amerikanë kishin kërkuar ndryshime apo se kishin qenë në dijeni të vendimit paraprakisht.
“As presidenti i Shteteve të Bashkuara, as askush në strukturat tona nuk ka kërkuar ndonjëherë që të bëhen ndryshime në atë sistem”, tha Rubio.
Ai argumentoi se Qeveria nuk mund t’ia diktojë një kompanie private mënyrën se si e menaxhon një produkt komercial. Megjithatë, ai e pranoi se Starshield funksionon sipas marrëveshjeve të ndryshme, pasi blihet për përdorim nga Qeveria.
Kongresi kërkon përgjigje
Demokratët dhe disa republikanë kanë bërë thirrje për hetime lidhur me ngadalësimin e sistemit.
Senatori Adam Schiff tha në një postim në rrjetet sociale se deklaratat kontradiktore e bëjnë të domosdoshëm një hetim të plotë nga Senati. Ai kërkoi që Musk të dëshmojë nën betim. Edhe senatori Ruben Gallego i bëri thirrje Muskut që ta shpjegojë vullnetarisht vendimin.
Senatori Chris Coons tha se Musku nuk duhet të ketë fuqinë të ndikojë në përfundimin e një lufte “me një të shtypur të pullës”. Ndërsa senatorja Elizabeth Ëarren paralajmëroi për rreziqet që krijohen kur një drejtues i një kompanie private, në praktikë, përcakton politikën e jashtme të SHBA-së.
Përfaqësuesi demokrat Ami Bera tha se ngadalësimi i sistemit kishte “paralizuar mbrojtjen ukrainase dhe kishte vënë në rrezik jetët e njerëzve të pafajshëm”. Ai kërkoi që Kongresi të përcaktojë se kush e autorizoi vendimin dhe të sigurojë që përgjegjësit të japin llogari. Edhe përfaqësuesi republikan Brian Fitzpatrick ka kërkuar hetim.
Veçmas, një grup dypartiak prej afro dy duzinash anëtarësh të Dhomës së Përfaqësuesve i ka kërkuar Trumpit t’i bëjë presion Muskut që t’i lejojë Ukrainës të përdorë Starlink-un për të goditur brenda territorit rus pozicionet nga ku lëshohen raketat ruse.
“Nëse Ukraina nuk mund t’i interceptojë në mënyrë të besueshme ‘shigjetat’ ruse, ajo duhet të jetë në gjendje ta qëllojë ‘harkëtarin’”, shkruan ligjvënësit në një letër të dërguar më 21 tetor. Ata argumentojnë se Ukraina duhet të ketë mundësi t’i shkatërrojë platformat e lëshimit të raketave që përdoren për të sulmuar qytetet e saj.
The post Ukraina ende në pritje të përgjigjes nga SHBA-ja për kufizimet në Starlink appeared first on Euronews Albania.
Burimi: Botë









