Nga Boldnews.al
Shqipëria ka shënuar një rënie të lirë në Indeksin Global për demokracinë dhe liritë e të drejtat e njeriut për vitin 2026. Në Raportin e World Justice Project, një organizatë prestigjioze ndërkombëtare me seli në Uashington të Shteteve të Bashkuara, vendi ynë ka zbritur në vendin e 91, nga pozicioni 87 që ishte në vitin e kaluar.
Organizata e ekspertizës ndërkombëtare ka konstatuar se Shqipëria ka shënuar rënie të konsiderueshme në pjesën më të madhe të kritereve të vlerësimit.
Në raport konstatohet një tendencë rënieje e ngjashme me Shqipërinë e drejtuar nga Edi Rama, edhe në vende si Serbia e Aleksandër Vuçiç, Bjellorusia, nën drejtimin e Aleksandër Lukashenko, Turqia e drejtuar nga Rexhep Tajip Erdogan dhe, natyrisht, Rusia e udhëhequr nga Vladimir Putin.
Kriteret
World Justice Project bazon Raportin e saj vjetor në vlerësimin e 8 kritereve bazë. Në vijim, “Boldnews.al” paraqet krahasimin e të dhënave të raportit të vitit 2025 me atë të vitit 2026, të publikuar në 21 Tetor 2026.
Vlerësimi i përgjithshëm
Shqipëria renditet në vendin e 91 të Indeksit Global, ndërkohë që vitin e kaluar ka qenë në vendin e 87, duke humbur 4 pozicione.

Në Raportin e World Justice Project, pozicioni më pranë zeros ka nivelin më të mirë të demokracisë. Për vitin 2026, lidershipi, pra numri 1 në listë, është Danimarka.
1. Kufizimet e pushtetit të qeverisë
Ky kriter renditet i pari në listën e Raportit dhe lidhet drejtëpërdrejtë me llogaridhënien e institucioneve, që përbën edhe bazën kryesore të demokracisë.

Në vitin 2026, Shqipëria është vlerësuar me 0.42 pikë, ndërkohë që një vit më parë ishte 0.43, ku vlerësimi më i lartë është 1. Sipas vlerësimit të Raportit, Shqipëria ka bërë hapa prapa në llogaridhënien institucionale. Vlerësimi është shumë larg mesatares globale, që arrin në shifrën 0.56.
2. Mungesa e korrupsionit
Në vitin 2025, Shqipëria ishte vlerësuar me 0.38 pikë, ndërkohë që këtë vit ka shënuar rënie, në 0.37 pikë. Mesatarja globale për luftën kundër korrupsioni është 0.51 pikë.

Ndërkohë, Shqipëria po i largohet gjithnjë e më shumë kësaj mesatareje.
3. Qeverisja e hapur
Në vitin 2026, Shqipëria, nën drejtimin e Edi Ramës, është vlerësuar me 0.47 pikë, ndërkohë që një vit më parë ishte më lart, në nivelin 0.48.

Mesatarja botërore e këtij kriteri është 0.52.
4. Të drejtat e njeriut
Edhe në këtë kriter, Shqipëria ka shënuar rënie, krahasuar me një vit më parë. Në 2025, Shqipëria vlerësohej me 0.57 pikë, ndërkohë që këtë vit është në nivelin 0.56.

Në këtë kriter, vendi ynë rezulton që të jetë saktësisht në mesataren globale.
5. Rendi dhe Siguria
Në raportin e World Justice Project për vitin 2026, rezulton se ky është i vetmi kriter që nuk ka ndryshuar nga viti i kaluar, duke u pikëzuar në nivelin 0.77.

Mesatarja globale për “Rendin dhe Sigurinë” është 0.72.
6. Zbatimi i ligjit
Niveli i zbatimit të ligjit në Shqipëri gjatë vitit 2026 është më i ulët se në vitin 2025, sipas Raportit të Indeksit Global të World Justice Project. Në vitin e kaluar, ky kriter vlerësohej me 0.43 pikë. Ndërsa, për 2026, vlerësimi ka zbritur në 0.42.

Mesatarja globale është 0.56 pikë.
7. Të drejtat civile
Respektimi i të drejtave civile e qytetare në Shqipëri ka shënuar një rënie të konsiderueshme, sipas Raportit të World Justice Project për vitin 2026. Ky kriter është vlerësuar me 0.42 pikë, ndërkohë që në vitin 2025 ishte në nivelin 0.44.

Mesatarja globale për këtë kriter është 0.54 pikë.
8. Drejtësia Penale
Grupi i ekspertëve të World Justice Project vlerëson se edhe kriteri i drejtësisë penale ka shënuar rënie, krahasuar me një vit më parë. Në vitin 2025, ky kriter mori 0.41 pikë. Për vitin 2026, vlerësimi është 0.40, ndërkohë që mesatarja botërore është 0.47 pikë.

Të dhënat e këtij Raporti pasqyrojnë një realitet shumë më të ndryshëm se sa ai që synon të paraqesë “Pasqyrë Albania” e kryeministrit Edi Rama. Vendi ynë, jo vetëm që ka shënuar rënie në thuajse të gjithë kriteret e vlerësimit, por vijon të mbetet shumë larg mesatares botërore në thuajse të gjithë elementët bazë të demokracisë dhe shtetit ligjor.
Ngjarjet e fundit në Shqipëri, përfshirë protestat qytetare, revoltën e studentëve, përdorimin e forcës policore ndaj qytetare dhe injorimin e kërkesave të të rinjve nga ana e kryeministrit Edi Rama, pritet që ta ulin akoma më shumë vlerësimin për nivelin e demokracisë në Shqipëri, në raportin e ardhshëm të World Justice Project.













