
Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos ka vënë theksin te rëndësia e muajve të ardhshëm për procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Gjatë hapjes së Samitit të Procesit të Berlinit në Budva të Malit të Zi, ajo nënvizoi se rajoni po hyn në një periudhë me zhvillime të rëndësishme në rrugën drejt anëtarësimit në BE, raporton “RTV Budva”.
Sa i përket Shqipërisë, mesazhi i komisioneres ishte i qartë: Vijimi i progresit dhe ruajtja e dinamikës së integrimit do të jenë vendimtare në fazën e ardhshme. Kos e vlerësoi si pozitive mbledhjen e liderëve të rajonit dhe të përfaqësuesve të Procesit të Berlinit në Malin e Zi, duke theksuar rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit për të avancuar objektivat e përbashkëta evropiane.
Samiti i Liderëve të Procesit të Berlinit mbahet sot në Budva, ku Mali i Zi përmbyll drejtimin e kësaj nismeje për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian. Takimi do të hapet nga kryeministri malazez, Milojko Spajiç, dhe kancelari federal gjerman, Friedrich Merz.
