Ata e ndoqën së bashku ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Bodø/Glimt në stadiumin “Maradona”. Presidenti i Napoli, Aurelio De Laurentiis, mësohet se është takuar në një hotel me Matt Rizzetta, një drejtues me bazë në Nju Jork, i cili, pasi ka blerë tashmë ekipin e basketbollit të qytetit, tani po synon edhe klubin e futbollit, me qëllim krijimin e një organizate multisportive.
Takimi, i iniciuar nga kreu i Napoli, ishte miqësor, por përputhet me synimin e tij për ta shitur klubin, gjithsesi, vetëm sipas kushteve të tij. Kjo dëshirë e De Laurentiis nuk është e re. Ajo daton prej muajsh, madje një marrëveshje e mundshme dështoi pikërisht kur ishte pranë finalizimit në pranverë. Por, kohët e fundit është bërë gjithnjë e më konkrete.
De Laurentiis ka vendosur një çmim për Napolin: një vlerësim gjigant prej dy miliardë eurosh. Për pronarin e klubit, Napoli është më shumë se thjesht një ekip futbolli; blerja e tij nënkupton marrjen nën kontroll të një marke që gëzon miliona tifozë në Itali dhe në mbarë botën.
Ai synon ta rrisë më tej vlerën e klubit përmes ndërtimit të një stadiumi krejt të ri dhe një kompleksi sportiv të dedikuar, prandaj edhe përpjekjet për të siguruar tokën e përshtatshme për këto projekte.
Nga ana e tij, Rizzetta mbetet i palëkundur në vlerësimin e tij: përfaqësuesi i grupit amerikan të investimeve është i gatshëm të paguajë 1.3 miliardë për të blerë Napoli. Ai nuk është i interesuar për një kuotë pakice. Përkundrazi, ai e sheh këtë si një projekt gjithëpërfshirës, që përfshin një rinovim të plotë të stadiumit “Maradona”.
Koncepti i tij është krijimi i një organizate multisportive. “Nëse ka dikush të gatshëm të shpërblejë përpjekjet që kam bërë gjatë çerek shekullit të fundit, le të paraqitet dhe ne do ta marrim në konsideratë,” deklaroi De Laurentiis pak ditë më parë. Tani, Napoli ka edhe një çmim.







