Deputeti socialist Pirro Vengu ka ironizuar Sali Berishën dhe Partinë Demokratike për mbështetjen ndaj protestave të ditëve të fundit, duke e lidhur këtë qëndrim me kërkesën e  demokratëve për krijimin e një qeverie “kujdestare”.

Në një postim në rrjetet sociale, Vengu e krahason Berishën me ujkun tek Kësulëkuqja që pudros putrën për tu maskuar ndërsa qëndron pas dere dhe akuzon opozitën se kërkon ta përdorë protestën si rrugë për t'u bërë pjesë e pushtetit.

Reagimi i plotë i Pirro Vengut:

Sot, dy mesazhe që duhen lexuar bashkë.

Opozita që përfundoi në Lanë dhe është zbuar disa herë nga dera e madhe e përfaqësimit, tani kërkon të hyjë në protestë nga dritarja.

Ndërkohë, grupi parlamentar i PD-së kërkon një qeveri “kujdestare”. As teknike, as teknokratike: kujdestare. Pra, një qeveri me PD-në brenda.

Dhe Saliu, si ujku i përrallës që pudros putrën që t’i hapin derën, përpiqet të na shfaqet si mishërimi i rinisë. Rininë e do për maskë, protestën për shkallë dhe qeverinë për strehë.

Një opozitë që ka frikë nga protesta, por kërkon të strehohet në qeveri.