Policia e Shtetit ka mohuar përgjegjësinë për mesazhet intimiduese që u janë dërguar mësuesve dhe pedagogëve pas pjesëmarrjes në protestën e djeshme, duke pretenduar se autorët janë persona ende të paidentifikuar.
Sipas njoftimit zyrtar, mesazhet janë dërguar në emër të Policisë dhe u thoshin pjesëmarrësve në tubim se ishin filmuar nga efektivët dhe se do të kontaktoheshin për t’u komunikuar akuza. Institucioni deklaron se nuk ka lidhje me këto komunikime dhe se qëllimi i tyre është përhapja e panikut dhe dëmtimi i besimit të qytetarëve te policia.
Në reagimin e saj, Policia thekson se pjesëmarrja në tubime paqësore është një e drejtë kushtetuese, të cilën ka detyrimin ligjor ta respektojë dhe garantojë. Ajo i cilëson pretendimet se kjo e drejtë po cenohet si të pavërteta dhe dashakeqëse.
Njoftimi përfshin edhe një reagim për pamjet e publikuara nga Rinasi, ku pretendohej se shtetas të huaj po silleshin në Shqipëri për t’u mbajtur në burg. Sipas Policisë, bëhet fjalë për persona që transportohen nga Italia drejt qendrës së pritjes për emigrantët në Gjadër.
Gjithashtu, institucioni ka mohuar raportimet për dorëheqje masive nga radhët e policisë, si dhe pretendimet se drejtuesit e saj kanë dhënë urdhra të paligjshëm për ushtrimin e dhunës gjatë protestave.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e informacioneve që i cilëson të rreme, duke theksuar se vepron në zbatim të ligjit për garantimin e sigurisë dhe të drejtave të qytetarëve.












