Fotografitë e reja të Christopher Schwarzeneggerit, djalit 29-vjeçar të aktorit dhe ish-kulturistit Arnold Schwarzenegger, kanë tërhequr vëmendjen për shkak të transformimit të tij të jashtëzakonshëm fizik.

Christopher është fotografuar më 18 tetor në Los Angeles, teksa shëtiste me nënën e tij, Maria Shriver, dhe të dashurën. Pamja e tij dukshëm më e dobët dhe fiziku më i tonifikuar kanë bërë që shumëkush të vërejë ndryshimin e madh në paraqitjen e tij.


Prej një kohe, ai ka ndryshuar dukshëm në pamje, aq sa në fotografitë e fundit është vështirë të njihet krahasuar me imazhet e mëparshme.

Christopher ka treguar se përpjekjet për të humbur peshë kanë nisur që gjatë viteve të shkollës së mesme, kur provoi dieta të ndryshme, por pa arritur rezultate afatgjata. Ai ka pranuar se ndihej në siklet kur merrte me vete në shkollë ushqime të përgatitura posaçërisht për dietën e tij.

Një pikë kthese erdhi në vitin 2019, kur kuptoi se pesha po e kufizonte në aktivitetet e përditshme dhe po e pengonte të bënte gjëra që dëshironte.

“Thjesht e kuptova se pesha po më pengonte të bëja gjëra të zakonshme të përditshme”, kujtoi ai gjatë samitit “Beacher Vitality Happy & Healthy” në vitin 2025. “Mendova: ‘Nuk mund të hidhem me parashutë’”, shtoi Christopher.

Për të humbur peshë, ai provoi mënyra të ndryshme të të ushqyerit dhe të ushtruarit fizik. Programi i tij përfshinte ngritjen e peshave, boksin dhe ecjet në natyrë, përfshirë ngjitjet malore.

Gjatë Kreshmëve, si katolik i devotshëm, ai vendosi të hiqte bukën nga menyja e tij. Sipas deklarimeve të veta, vetëm nga ky ndryshim humbi afro 14 kilogramë.

Sipas raportimeve të “Page Six”, që nga fillimi i transformimit të tij në vitin 2019, Christopher ka humbur rreth 113 kilogramë.

“Ky nuk është një ndryshim që ndodh brenda natës. U deshën shumë përpjekje, prova dhe gabime”, ka treguar ai, duke theksuar se ende nuk e konsideron të përfunduar rrugëtimin e tij.

“Ende nuk ndihem sikur e kam përfunduar”, shtoi ai.

Babai i tij i famshëm, Arnold Schwarzenegger, ka folur me krenari për arritjet e të birit, duke treguar se Christopher shkon çdo ditë në palestër.

Në një intervistë të mëhershme për gazetën “The Times”, Arnold shpjegoi se nuk e kishte kritikuar asnjëherë drejtpërdrejt djalin për peshën e tij.

“Nuk mund të shkoja tek ai dhe t’i thosha: ‘Ke shumë kilogramë’. Thjesht i ofronim vazhdimisht ushqim të shëndetshëm. Gjithmonë e nxisnim të njihej me palestrën dhe gjëra të tilla. Pastaj, papritur, ai vendosi se dëshironte të ishte më i dobët. Dhe tani është”, tregoi Arnold.

“Sigurisht, kjo është fantastike. Tregon vetëdisiplinë dhe motivim të jashtëzakonshëm. Gjithmonë kam menduar se ky vendim duhej të vinte një ditë nga vetë ai – dhe ashtu ndodhi”, shtoi aktori.

Mbështetjen e saj e ka shprehur publikisht edhe motra e Christopherit, Katherine Schwarzenegger. Në Ditën e Falënderimeve në vitin 2025, ajo publikoi fotografi familjare ku vihej re edhe ndryshimi në pamjen e të vëllait.

“Ka kaq shumë gjëra për të cilat mund të jemi mirënjohës”, shkroi ajo në atë kohë.

Arnold Schwarzenegger dhe ish-bashkëshortja e tij, Maria Shriver, kanë katër fëmijë: vajzat Katherine dhe Christina, si dhe djemtë Patrick dhe Christopher. Arnold ka edhe një djalë tjetër, Joseph Baena, nga një lidhje jashtëmartesore me ish-punonjësen e shtëpisë, Mildred Baena. Sipas raportimeve, Joseph nuk e dinte deri në moshën 13-vjeçare se Arnold ishte babai i tij.

Maria Shriver paraqiti kërkesën për divorc në vitin 2011, pas 25 vjetësh martesë.

Ndryshe nga disa anëtarë të tjerë të familjes, Christopher e mban jetën private larg vëmendjes publike. Ai u diplomua në Universitetin e Michiganit në vitin 2020.

Megjithëse babai i tij është një ikonë e bodybuilding-ut, Christopher ka ndërtuar rrugën e vet drejt një stili më të shëndetshëm jetese, me ritmin e tij. Transformimi fizik i tij dëshmon se këmbëngulja dhe qëndrueshmëria mund të sjellin ndryshime të mëdha.

Ndërkohë, disa komentues kanë vënë në dukje se ai tani po i ngjan gjithnjë e më shumë gjysmëvëllait të tij, Joseph Baena, i cili ka ndjekur gjurmët e të atit dhe i është përkushtuar bodybuilding-ut. /Telegrafi/