Gresa Krasniqi ka ndarë një mesazh shqetësues lidhur me gjendjen e babait të saj, Jakup Krasniqi, rreth një muaj pas dënimit të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ajo ka treguar se gjatë një bisede telefonike, i ati e ka informuar se nuk ka pranuar t’i nënshtrohet një kontrolli mjekësor dhe se ka vendosur të mos marrë më kujdes shëndetësor nga institucionet ku mbahet në paraburgim.

Sipas rrëfimit të vajzës së tij, Krasniqi e ka justifikuar këtë vendim me bindjen se po mbahet padrejtësisht dhe se, prej gjashtë vitesh, i janë mohuar të drejtat njerëzore. Lajmi ka shkaktuar shqetësim te familjarët e tij, veçanërisht te Gresa, e cila ka theksuar se mosha e të atit e bën edhe më të rëndësishëm kujdesin për shëndetin e tij.

Ajo ka pranuar se ndihet e pafuqishme përballë kësaj situate, duke vënë në pikëpyetje se si mund ta bindë të atin të pranojë ndihmën e institucioneve ndaj të cilave ai ka humbur besimin. “Si mund t’i kërkoj të pranojë kujdesin e atyre institucioneve, kur ai ndihet i tradhtuar pikërisht nga drejtësia që duhej ta mbronte?”, ka shkruar ajo në reagimin e saj.

Gresa ka treguar gjithashtu se, gjatë telefonatës, është përpjekur t’i japë kurajë babait, duke i përcjellë dashurinë dhe mbështetjen e familjes. Në përfundim të mesazhit, ajo ka kundërshtuar ashpër dënimin e tij, duke e cilësuar atë jo si një gabim që mund të ndreqet, por si një padrejtësi.

Reagimi i saj vjen në një periudhë të vështirë për familjen Krasniqi, ndërsa shqetësimi kryesor i shprehur publikisht mbetet gjendja shëndetësore e ish-zyrtarit të lartë të Kosovës dhe vendimi i tij për të refuzuar kujdesin mjekësor.