Para dy ditësh, një gazetë spanjolle shkruante se vala e protestave në Shqipëri tregon se shoqëria shqiptare po evropianizohet.
Mund të dukej si një vlerësim i mirë, por sipas shkrimit, këto protesta janë të ngjashme me ato që po ndodhin në Evropë dhe tregojnë se, edhe kur një vend i plotëson standardet për integrimin, pakënaqësia dhe problemet nuk shuhen.
Ky përcaktim i shkon për shtat retorikës së Edi Ramës që synon ta shesë revoltën në Shqipëri si një zgjatim të asaj që po ndodh në vendet e tjera evropiane.
Pikërisht ky është mashtrimi më i madh i tij.
Sepse në të vërtetë shoqëria shqiptare po reagon si një shoqëri evropiane, por kryeministri shqiptar është një kleptokrat afrikan. Madje edhe të thuash afrikan është një fyerje për shumë e shumë vende të këtij kontinenti që janë ku e ku përpara Shqipërisë së Edi Ramës sa u përket standardeve të demokracisë dhe zbatimit të ligjit.
Kjo sepse asnjë kryeministër në Evropë nuk zhvillon farsa elektorale të këtyre përmasave industriale si Edi Rama.
Kjo sepse asnjë kryeministër në Evropë nuk i burgos liderët e opozitës në një vit elektoral si Edi Rama.
Kjo sepse asnjë kryeministër në Evropë nuk ka projektuar dhe ndërtuar një narkoshtet dhe narkodiktaturë si Edi Rama.
Kjo sepse asnjë kryeministër në Evropë nuk e ka vendosur shërbimin informativ shtetëror në shërbim të krimit si Edi Rama.
Kjo sepse asnjë kryeministër në Evropë nuk e ka përdorur agjencinë kombëtare të informacionit për të zhvatur qindra milionë euro familjarisht si Edi Rama.
Kjo sepse asnjë kryeministër në Evropë nuk ka vjedhur miliarda euro nga punët publike së bashku me zëvendësen e tij siç ka bërë Edi Rama.
Kjo sepse asnjë kryeministër në Evropë nuk e ka falur Portin e Durrësit, pasurinë më të madhe dhe më të rëndësishme publike në vend, për të ndërtuar pallate si Edi Rama.
Kjo sepse asnjë kryeministër në Evropë nuk ka caktuar një koordinator për bandat dhe nuk ka dërguar përfaqësues qeveritarë në një ‘samit’ të krimit në një vend ekzotik.
Lista e zezë e këtyre krimeve nuk ka fund, por në Evropë asnjë kryeministër nuk do i kishte mbijetuar një skandali shumëfish më të vogël se një prej skandaleve më të vegjël të Edi Ramës. Pa folur pastaj për aferat e ububushme të tij që do kishin shembur edhe qeveritë më të korruptuara në çdo diktaturë elektorale apo totalitare.
Ka një dallim thelbësor mes protestës që zhvillohet në Shqipëri dhe protestave që shohim në Paris, Milano apo në qytete të tjera të Evropës. Një dallim që nuk lidhet me inteligjencën, dinjitetin apo aspiratat e qytetarëve, por me problemet konkrete që i nxjerrin njerëzit në rrugë, me marrëdhënien e tyre me shtetin dhe me nivelin e përgjegjshmërisë që kërkojnë nga pushteti.
Shqiptarët që protestojnë nuk janë më pak evropianë se francezët, italianët apo gjermanët. Përkundrazi, ata janë evropianë në aspiratat e tyre, në kërkesën për drejtësi, në refuzimin e korrupsionit dhe në dëshirën për një shtet ku ligji të jetë i barabartë për të gjithë. Problemi është se, ndërsa qytetarët shqiptarë kërkojnë standarde evropiane, Edi Rama vazhdon ta trajtojë shtetin sikur të ishte pronë private.
Pikërisht këtu qëndron thelbi i protestës shqiptare: nuk mjafton të kesh flamurin e Evropës në tryezë, nëse nuk jep llogari sipas standardeve evropiane.
Në Paris mund të protestohet për çmimet, pensionet, pagat, politikat sociale apo vendime të qeverisë. Në Milano mund të protestohet për kushtet e punës, strehimin, shërbimet publike dhe koston e jetesës. Këto janë çështje të rëndësishme, që prekin edhe shoqërinë shqiptare. Por në Shqipëri, përtej problemeve ekonomike dhe sociale, protesta ka një dimension të veçantë: kërkesën për llogaridhënie politike përballë akuzave të rënda për korrupsion në nivelet më të larta të shtetit.
Dhe kulmi i ironisë është se protestuesit shqiptarë nuk po kërkojnë privilegje. Po kërkojnë një shtet normal.
Kur njerëzit dalin në rrugë dhe kërkojnë drejtësi, transparencë dhe përgjegjësi, ata nuk po kërkojnë diçka të jashtëzakonshme. Po kërkojnë gjëra që duhet të jenë normale në çdo demokraci funksionale.
Ata duan që taksat e tyre të mos shpërdorohen. Duan që tenderat të mos jenë objekt vjedhjesh në nivel 90 përqind. Duan që drejtësia të mos ketë frikë nga pushteti i Edi Ramës. Duan që zgjedhjet të mos jenë farsa elektorale. Duan që një i ri të mund të ndërtojë të ardhmen në Shqipëri pa u ndier i detyruar të largohet për të gjetur një jetë më të mirë.
Të gjitha këto po i kërkojnë në mënyrën më evropiane, ndërsa përpara kanë dhunën e një satrapi afrikan.
Fundi i këtyre satrapëve dihet. Koha e ka treguar.
© SYRI.net