
Prokuroria e Posaçme, SPAK, njoftoi të enjten më 22 tetor sekuestrimin e pasurive me vlerë 77 milionë lekë ose rreth 800 mije euro, të zotëruar nga dy prej anëtarëve të organizatës së trafikut të drogës të drejtuar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja. Nga hetimi pasuror i kryer ndaj anëtarëve të kësaj organizate, janë evidentuar pasuri të paluajtshme në emër të dy shtetasve A. Ç dhe F.C. dhe personave të lidhur, që dyshohet se janë krijuar me të ardhurat e përfituara prej trafikut të drogës. Nën sekuestro janë vendosur një ngastër toke e llojit arë, me sipërfaqe 2000 m2 në Sharrë të Tiranës, si dhe kuotat e shoqërisë tregtare “Check Company” sh.p.k. me seli në rrugën e Dibrës në Tiranë si dhe 25 automjete.
SPAK po heton nën masa sigurimi 16 persona si anëtarë të kësaj organizate, për veprat penale, trafikim i lëndëve narkotike, pastrim i produkteve të veprës penale, grup I strukturuar criminal dhe kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.
Sipas SPAK, organizata kriminale me shtrirje të gjerë ndërkombëtare bashkëpunonte me grupe të tjera kriminale për të lehtësuar transportet e lëndëve narkotike drejt porteve evropiane dhe investonte fitimet e mëdha në prona dhe biznese në Shqipëri dhe jashtë saj. Për të realizuar hetimin është bashkëpunuar me EUROPOL, autoritet belge, franceze, holandese, gjermane dhe italiane, duke u bazuar në analizën e të dhënave të komunikimit të enkriptuara të platformës SkyECC.
Nga hetimet janë zbuluar dërgesa shumëtonëshe kokaine nga Amerika Latine drejt porteve kryesore të BE-së, përfshirë Hamburgun, Anversën, etj. Gjithashtu, SPAK bënë me dije janë evidentuar rolet përkatëse të secilit prej pjesëtarëve të grupit kriminal si dhe është dokumentuar i gjithë zinxhiri i transferimit të shumave monetare të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Grupi për të cilin prokurorët besojnë se drejtohet nga vëllezërit Çopja u përfshi në një përplasje të përgjashkshme me një grup rival në zonën e Elbasanit, gjë që solli, mes viteve 2018 e 2023, një seri të gjatë atentatesh dhe vrasjesh të ndërsjella. Krerët e grupit, Franc Gergely (Çopja) dhe Hajdar Çopja janë arrestuar në Dubai.






