Gjykata e Apelit e Kosovës ka rrëzuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë që kishte hedhur poshtë aktakuzën ndaj ish-ministrit të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, dhe ish-ushtruesit të detyrës së sekretarit të kësaj ministrie, Besim Kamberaj. Rasti lidhet me financimin e organizatave “Germin” dhe “Caritas-i Zviceran”, ndërsa Prokuroria Speciale pretendon se dëmi ndaj buxhetit të shtetit arrin në 1 milion e 40 mijë euro.
Me vendimin e datës 21 tetor 2026, Apeli ka ndryshuar aktvendimin e shkallës së parë dhe ka konfirmuar se aktakuza ndaj Damkës dhe Kamberajt i plotëson kushtet për t’u shqyrtuar në gjykim.
Të lidhura
None found
Sipas kolegjit të Apelit, provat e mbledhura nga Prokuroria Speciale krijojnë dyshim të bazuar mirë se të pandehurit mund të kenë kryer veprat penale për të cilat akuzohen. Për rrjedhojë, procedura penale do të vijojë në fazën e shqyrtimit gjyqësor.
Fikrim Damka, i cili ka qenë zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim ekonomik, akuzohet bashkë me Besim Kamberajn, ish-ushtruesin e detyrës së sekretarit në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.
Gjykata Themelore në Prishtinë kishte pranuar më herët kërkesat e mbrojtjes për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës. Ajo kishte arsyetuar se materialet e paraqitura nuk ishin të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin se të akuzuarit kishin kryer veprën penale për të cilën ngarkoheshin.
Prokuroria Speciale e kishte kundërshtuar këtë vendim përmes ankesës, duke kërkuar vazhdimin e procedurës penale. Në procedurën ankimore ishin përgjigjur edhe mbrojtësit e Damkës dhe Kamberajt.
Apeli: Themelorja bëri vlerësim përfundimtar të provave
Në arsyetimin e tij, Apeli ka konstatuar se Gjykata Themelore e kishte kaluar kufirin e vlerësimit të lejuar për këtë fazë të procedurës. Sipas gjykatës së shkallës së dytë, në momentin kur shqyrtohen kundërshtimet ndaj provave dhe kërkesa për hedhjen e aktakuzës, duhet të vlerësohet vetëm nëse ekziston dyshimi i bazuar mirë.
Përcaktimi përfundimtar i vlerës së provave dhe përgjegjësisë penale të të akuzuarve, sipas Apelit, duhet të bëhet gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Aktakuza mund të hidhet në këtë fazë vetëm kur provat tregojnë qartë se nuk ekziston dyshimi i bazuar mirë për kryerjen e veprës penale. Në rastin e Damkës dhe Kamberajt, Apeli ka vlerësuar se në dosje ka materiale që kërkojnë analizë më të thellë në procesin gjyqësor.
Gjykata e Apelit ka evidentuar edhe paqartësi në arsyetimin e aktvendimit të Themelores. Sipas saj, nuk kuptohej qartë nëse aktakuza ishte hedhur për mungesë provash, për shkak se veprimet e të akuzuarve nuk përbënin vepër penale apo për shkak të mungesës së elementeve të veprës.
Apeli ka vënë në dukje se në pjesë të ndryshme të vendimit të shkallës së parë ishin përdorur konstatime të ndryshme. Në një pjesë thuhej se nuk kishte dyshim të bazuar mirë se të pandehurit i kishin kryer veprat penale, ndërsa në një pjesë tjetër thuhej se veprimet e tyre nuk mund të cilësoheshin si inkriminuese.
Për këtë arsye, sipas Apelit, nuk ishte e qartë baza konkrete mbi të cilën Themelorja kishte vendosur ta hidhte aktakuzën.
Dyshimet për tejkalim kompetencash dhe financim të organizatave
Apeli ka konstatuar se disa nga provat që ndodheshin në shkresat e lëndës ishin interpretuar gabimisht nga Gjykata Themelore.
Një prej çështjeve të shqyrtuara ishte vlerësimi i shkallës së parë se memorandumet e bashkëpunimit nuk kishin krijuar detyrime të menjëhershme financiare për buxhetin e Kosovës, pasi ato ishin konsideruar mjete bashkëpunimi dhe jo kontrata financiare.
Sipas Apelit, në dosje ndodhen dy memorandume të shoqëruara me anekse, ku janë përcaktuar kostot e projekteve që do të financoheshin.
Gjykata ka vlerësuar se provat krijojnë dyshim se Damka, në cilësinë e ministrit të Zhvillimit Rajonal, dhe Kamberaj, si ushtrues i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të kësaj ministrie, mund të kenë tejkaluar kompetencat dhe autorizimet zyrtare.
Sipas këtij dyshimi, veprimet mund të jenë ndërmarrë me qëllim që organizatat “Germin” dhe “Caritas-i Zviceran” të përfitonin dobi pasurore, si dhe që të shkaktohej dëm ose të cenoheshin të drejtat dhe interesat e personave të tjerë.
Financimi i dy organizatave, sipas vendimit të Apelit, ishte bërë nga Ministria e Zhvillimit Rajonal përmes negociimit të drejtpërdrejtë të përmbajtjes dhe drafteve të memorandumeve të bashkëpunimit. Sipas gjykatës, kjo ishte bërë pa procedura përkatëse të thirrjes publike dhe pa nivelin e nevojshëm të transparencës.
Apeli ka marrë parasysh edhe opinionin e Departamentit Ligjor të Ministrisë së Financave, i cili e kishte paralajmëruar Ministrinë e Zhvillimit Rajonal se nuk mund të merrte obligime financiare përtej fondeve të ndara dhe të alokuara.
Fakti që “Caritas-i Zviceran” kishte mbuluar 60 për qind të kostos së një projekti, sipas gjykatës, nuk e lironte ministrinë nga detyrimi për të zbatuar rregullat dhe procedurat që vlejnë për financimin e projekteve me fonde publike.
Në përfundim, Apeli ka vendosur se aktakuza e Prokurorisë Speciale mund të vazhdojë në shqyrtim gjyqësor.
Aktakuza u ngrit më 4 korrik 2025
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ka ngritur aktakuzën më 4 korrik 2025 ndaj Fikrim Damkës dhe Besim Kamberajt për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Veprimet për të cilat ata akuzohen, sipas aktakuzës, kanë ndodhur gjatë viteve 2021–2022. Në atë periudhë Damka ishte ministër i Zhvillimit Rajonal, ndërsa Kamberaj ushtronte detyrën e sekretarit të kësaj ministrie.
Prokuroria pretendon se të akuzuarit, në kundërshtim me legjislacionin dhe rregullat për financimin publik të organizatave joqeveritare, kishin ndërmarrë hapa për lidhjen e marrëveshjeve me “Caritas-in Zviceran” dhe për përfshirjen e organizatës “Germin” në projektet përkatëse.
Projektet e përmendura në aktakuzë janë “Ndikimi mjedisor i të rinjve – YENI” dhe “Veprimi Komunal për Ri-integrim dhe Diasporë – MARDI”.
Sipas Prokurorisë, më 5 maj 2022, Damka kishte marrë vendim për ndarjen e 147 mijë eurove për bashkëfinancimin e projektit YENI dhe 200 mijë eurove për projektin MARDI. Shuma e përgjithshme e ndarë ishte 347 mijë euro.
Aktakuza pretendon se, përmes marrëveshjeve dhe detyrimeve të marra për financimin e projekteve gjatë viteve 2022, 2023 dhe 2024, të akuzuarit kishin kapërcyer kufijtë e lejuar për financimin publik të OJQ-ve.
Prokuroria e ka përllogaritur në 1 milion e 40 mijë euro shumën e përgjithshme të këtyre obligimeve dhe pretendon se veprimet i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës.
Për këtë arsye, Prokuroria ka kërkuar që Damka dhe Kamberaj të urdhërohen ta kompensojnë shumën e pretenduar. Po ashtu, ka kërkuar edhe dënim plotësues, që do të nënkuptonte ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën ose shërbimin publik.
Në seancën fillestare të zhvilluar më 23 shtator 2025, të dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.
Vendimi i Gjykatës së Apelit është marrë nga kolegji i kryesuar nga gjyqtari Avni Mehmeti, me gjyqtarët Albina Shabani-Rama dhe Ferit Osmani si anëtarë.
Ndërkohë, më 23 mars 2025, Prokuroria Themelore në Prizren kishte ngritur një aktakuzë tjetër ndaj Damkës dhe një personi tjetër për veprat penale “Sulm” dhe “Kanosje”.






