Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur poshtë çdo mundësi për t’u tërhequr nga drejtimi i opozitës apo nga skena politika, duke deklaruar se një hap i tillë do të shërbente vetëm për të forcuar pushtetin e kryeministrit Edi Rama.
I pyetur gjatë një komunikimi me mediat nëse do të konsideronte largimin nga drejtimi i forcës politike për t’i hapur rrugë zgjidhjeve të reja, Berisha e cilësoi këtë skenar si të papranueshëm dhe të nxitur nga mbështetësit e mazhorancës.
“Kjo nuk ndodh kurrë, është absurde. Kjo do të thotë të forcosh Edi Ramën dhe të lash dorën e tij të zezë. Lëpirësit dhe puthadorët e Ramës thonë ashtu. Të na krahasosh ne të dy është të krahasosh ditën me natën. Tani ka një opozitë të vërtetë”, u shpreh Berisha.
Lideri demokrat refuzoi çdo paralelizëm mes tij dhe kreut të qeverisë, duke këmbëngulur se opozita nën drejtimin e tij përfaqëson të vetmen alternativë reale përballë pushtetit aktual dhe se qëndrimi i tij në krye të aksionit opozitar mbetet i pashmangshëm.










