Meta-Kryemadhi, në gjyq pa avokatë, ish-Presidentit i digjen edhe afatet e paraburgimit

Gjykata e Posaçme i dha dritën jeshile kërkesës së Metës dhe Kryemadhit për gjykim pa avokatë.
Për herë të parë që nga fillimi i shtatorit kur me vendim të Dhomës Kombëtare të Avokatisë u vendos bojkoti i seancave gjyqësore, togat e zeza morën verdiktin që të çlirojnë kaosin e krijuar prej rregullores shtrënguese të Gjykatës Antikorrupsion.
Megjithëse këtë të enjte në seancë mungonin prokurorët e çështjes Sotir Kllapi dhe Arben Kraja dhe akuza përfaqësohej nga Vladimir Mara, në fakt të gjobitur përfunduan mbrojtësit ligjorë të dy të pandehurve.
Ata u ndëshkuan me 20 mijë lekë ndërsa avokatët e ndihmës juridike nga 5 mijë lekë.
Ndërkaq edhe ish-presidentit Ilir Meta iu dogjën afatet e paraburgimit. Ky i fundit reagoi nga kafazi duke thënë se po bën burg ndërsa burgu nuk i quhet.
Po ashtu edhe e pandehura, Monika Kryemadhi u shpreh se nëse avokatët e saj do ishin në seancë, gjyqi do ishte shtyrë për shkak të mungesës së prokurorisë së posaçme.
Në këto kushte, nga data 29 tetor, ish çifti politik do të vetëmbrohet, në një seancë të pazakontë gjyqësore. Të dy akuzohen se në bashkëpunim kanë kryer korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të ardhurash me dosjet CEZ DIA, lobing në SHBA dhe disa fatura mjekësore.




