Situata ndërkombëtare mbetet e ndërlikuar për shkak të konfliktit të armatosur mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, duke vënë në pikëpyetje zhvillimin e aktiviteteve sportive që mund të preken nga kjo krizë.
Në mesin e tyre janë edhe kampionatet e Formulës 1 dhe MotoGP-së. Për këtë arsye, drejtuesit e të dy kampionateve po shqyrtojnë mundësitë për të gjetur zgjidhjen më të përshtatshme, duke mbrojtur sigurinë e pilotëve, stafit, organizatorëve dhe tifozëve, si dhe imazhin e këtyre kompeticioneve në arenën ndërkombëtare.
Presidenti i FIA-s, Mohamed Ben Sulajem, ka bërë të qartë se synimi është që dy garat e fundit të sezonit 2026, në Katar dhe Abu Dabi, të zhvillohen ashtu siç është parashikuar në kalendar.
“Është çështje e arsyes së shëndoshë. Ne nuk do ta çojmë kurrë stafin, pilotët apo asnjë person përgjegjës në një vend që e konsiderojmë të rrezikshëm. Në asnjë mënyrë”, deklaroi kreu i FIA-s, duke shprehur besimin se të dyja garat mund të zhvillohen në kushte të sigurta.
Për të mbështetur qëndrimin e tij, Ben Sulajem përmendi edhe familjen e vet, e cila ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe. “Fëmijët e mi janë atje. Mendoni se do t’i lija atje dhe do të isha këtu duke folur me ju, nëse situata do të ishte e rrezikshme? Duhet të jemi të arsyeshëm në këtë çështje”, u shpreh ai.
Më tej, presidenti i FIA-s theksoi se, bazuar në situatën aktuale, planet mbeten të pandryshuara. “A do të thotë kjo se nuk do të ndodhë asgjë? Nuk mund ta parashikoj. Mund t’ju them vetëm se sot nuk ka asgjë që e pengon zhvillimin e garave dhe se të dyja do të zhvillohen”, deklaroi Ben Sulayem.
Vershtapen kërkon siguri Megjithatë, jo të gjithë ndajnë të njëjtin qëndrim. Mes zërave kritikë është edhe piloti i Red Bullit, Maks Vershtapen, i cili ka theksuar rëndësinë e vendosjes së sigurisë mbi spektaklin sportiv. Gjatë diskutimeve për situatën në rajon, holandezi nënvizoi se mbrojtja e të gjithë personave të përfshirë në kampionat duhet të jetë përparësia kryesore.
Sipas tij, pavarësisht se mund t’i pëlqejnë pistat e Katarit dhe Abu Dabit, siguria duhet të ketë gjithmonë përparësi, edhe nëse kjo do të nënkuptonte anulimin e të dyja garave. Pavarësisht optimizmit të drejtuesve të FIA-s, zhvillimi i Çmimeve të Mëdha në Lindjen e Mesme mbetet i lidhur me ecurinë e situatës gjeopolitike. Synimi për t’i zhvilluar garat sipas kalendarit nuk përbën ende një garanci përfundimtare. Formula 1 ka ende më shumë se një muaj kohë dhe katër gara përpara fundit të sezonit për të vlerësuar zhvillimet dhe për të marrë një vendim përfundimtar, i cili të garantojë sigurinë e të gjithëve.
