Dita Botërore e Belbëzimit, apel për identifikim të hershëm dhe konsultim me specialistët

Shëndet | 1 minutë më parë

Belbëzimi është një çrregullim i rrjedhshmërisë së të folurit, i cili mund të shfaqet në mosha të ndryshme, por është më i shpeshtë te fëmijët e moshës 3-5 vjeç. Përsëritja e tingujve dhe rrokjeve, zgjatja e tingujve apo vështirësia për të nisur një fjalë janë ndër shenjat e para që mund të vënë re prindërit.

“Belbëzimi është një ngecje ose pauzë në të folur, siç quhet në gjuhën popullore, dhe mund të shfaqet në disa forma: zhvillimore, tonike, klonike, të përziera dhe emocionale. Në shumicën e rasteve, shfaqet në moshën tre deri në pesë vjeç, por nuk përjashtohen as rastet me origjinë emocionale, të cilat mund të lidhen me përjetimin e situatave të ndryshme që shkaktojnë ankth dhe stres”, u shpreh Alesia Filipi, Logopede.

Belbëzimi mund të trajtohet përmes ndërhyrjeve të specializuara, në varësi të moshës dhe nevojave të individit.

“Por nuk përjashtohen as rastet me forma tonike dhe klonike, të cilat kërkojnë ushtrime që mobilizojnë muskujt bukofacialë dhe motorikën e gojës”, tha ajo.

Në Ditën Botërore të Belbëzimit, specialistët theksojnë rëndësinë e identifikimit të hershëm dhe të trajtimit të përshtatshëm për çdo rast.

“Apeli im i vetëm është që, në momentin që vëreni shenjat e para, t’i drejtoheni specialistit për të vlerësuar nëse trajtimi mund të presë apo duhet të fillojë sa më shpejt. Kjo gjendje mund ta shoqërojë individin gjatë gjithë jetës. Mund të themi se nuk sjell vetëm vështirësi motorike, por edhe vështirësi në frymëmarrje dhe probleme emocionale, të cilat mund ta shoqërojnë fëmijën gjatë gjithë jetës”, tha logopedia.

Në këtë ditë ndërgjegjësimi, apeli i specialistëve për prindërit është që të mos i neglizhojnë vështirësitë në të folur dhe t’u drejtohen logopedëve për një vlerësim profesional. Sa më herët të identifikohen shenjat, aq më shpejt mund të përcaktohet mbështetja e nevojshme.

Gazetare: Eftjola Fili

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme