Vushtrria po kalon një nga periudhat më të vështira, me krizën në klub që po thellohet si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë financiar e organizativ.

Futbollistët kanë bojkotuar stërvitjen, ndërsa tifozët kanë reaguar ashpër, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryesisë së klubit, në krye me Rrahman Ramën.


Përmes një komunikate, tifozët e Vushtrrisë, të njohur si “Forca”, kanë shprehur mbështetjen e plotë për vendimin e futbollistëve për të bojkotuar stërvitjen, duke e cilësuar këtë veprim si të pranueshëm në rrethanat aktuale.

Sipas tyre, gjendja e rëndë financiare dhe premtimet e papërmbushura nga drejtuesit e klubit kanë bërë që situata të arrijë në një pikë të papranueshme.

“Është e papranueshme që një klub me historinë, traditën dhe emrin e FC Vushtrrisë të përballet me një situatë të tillë. Premtimet pa vepra nuk e çojnë klubin përpara, ndërsa pasojat e kësaj gjendjeje po i bartin futbollistët, stafi dhe mbi të gjitha vetë klubi”, thuhet në reagimin e tifozëve.

Ata kanë theksuar se futbollistët meritojnë respekt, paga me kohë dhe kushte dinjitoze për të ushtruar profesionin e tyre, duke kërkuar që drejtuesit të mbajnë përgjegjësi për gjendjen e krijuar.

Kërkesa kryesore e tifozëve është dorëheqja e kryesisë, me Rrahman Ramën në krye.

“FC Vushtrria nuk është pronë private e askujt, por klub i qytetit, i tifozëve dhe i të gjithë atyre që e kanë mbajtur gjallë këtë emblemë ndër vite”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Përveç problemeve jashtë fushës, Vushtrria po përballet edhe me një situatë tejet të vështirë sportive. Skuadra ndodhet në vendin e fundit në tabelë, me vetëm tri pikë pas 10 ndeshjeve të zhvilluara, ku ka regjistruar një fitore dhe nëntë humbje.

Bilanci prej pesë golash të shënuar dhe 23 të pësuar e dëshmon vështirësinë e madhe me të cilën po përballet ekipi këtë sezon.

Situatën e rëndon edhe fakti se Vushtrria ndeshjet si nikoqire po i zhvillon jashtë qytetit të saj, larg stadiumit dhe ambientit të zakonshëm.

Mungesa e kushteve të përshtatshme, rezultatet e dobëta dhe kriza financiare po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë gjendjen e klubit.

Në këtë situatë, kërkesat e futbollistëve dhe reagimi i tifozëve e kanë shtuar presionin ndaj drejtuesve të klubit.

Mbetet të shihet nëse kryesia do të reagojë ndaj pakënaqësive dhe do të ndërmarrë hapa konkretë për ta nxjerrë Vushtrrinë nga kriza, apo nëse përplasjet do të vazhdojnë ta thellojnë edhe më shumë gjendjen e klubit me traditë në futbollin kosovar. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore