“Sakharov”, shkon për Gjykatën Penale Ndërkombëtare/Parlamenti Evropian e nderoi me çmimin më të lartë për të drejtat e njeriut

Europë | 1 minutë më parë

Parlamenti Evropian nderoi të enjten Gjykatën Penale Ndërkombëtare me çmimin “Sakharov”, i cili vlerëson çdo vit individë dhe organizata që mbrojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Duke njoftuar fituesin, Presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola deklaroi se me dhënien e çmimit Saharov vlerësohet puna e rëndësishme e Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe zyrtarëve të saj në mbështetje të drejtësisë dhe të së drejtës ndërkombëtare.

Vlerësimi vjen në një kohë kur, kjo gjykatë po përballet me sanksione nga SHBA, të cilat e kanë kërcënuar me shpërbërje nëse ajo nuk adreson shqetësimet e Washingtonit, veçanërisht urdhërarrestin ndaj kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, si të dyshuar për krime lufte në Gaza.

“Çmimi më i lartë i të drejtave të Bashkimit Evropian vjen në një kohë sfidash të shumta për gjykatën, përfshirë sanksionet e SHBA-së, por po vlerësohet roli i drejtësisë ndërkombëtare si një gur themeli për paqen e qëndrueshme.”- tha kryegjyqtarja Tomoko Akane.

“Gjykata Ndërkombëtare Penale duhet të jetë e lirë të ndjekë misionin e saj, në mënyrë të pavarur dhe pa presion apo frikësim”- u shpreh presidentja e KE-së Ursula von der Leyen. Në garë për çmimin ishin edhe dy kandidatë të tjerë avokati nga Tanzania, Tundu Liss dhe motrat iraniane Taraneh dhe Romina Rahimi, të cilët ndodhen në burg në vendet e tyre.

Gjykata me seli në Hagë të Holandës heton dhe gjykon krimet më të rënda, përfshirë gjenocidin, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit. E ngritur mbi një traktat ndërkombëtar të quajtur “Statuti i Romës”, ky institucion është gjykata e parë ndërkombëtare penale e përhershme në botë.

Njoftimi i Parlamentit Evropian erdhi pas ndarjes së çmimit “Nobel” për Paqen juristes nga Afrika e Jugut, Navi Pillay, që ka shërbyer si gjyqtare në Gjykatën Penale Ndërkombëtare nga gjatë viteve 2003-2008. I krijuarnë vitin 1988, ceremonia e ndarjes së çmimit “Saharov” do të mbahet në dhjetor në selinë e PE-së në Strasburg të Francës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme