Vendosni fjalën kyçe....

Tensione dhe përplasje fizike në Kuvend, Noka tenton t’u heqë kartonat e votimit deputetëve socialistë


Seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë është shoqëruar me tensione dhe përplasje fizike e verbale mes deputetëve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste.

Situata u tensionua gjatë drejtimit të seancës nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, kur deputeti demokrat Flamur Noka tentoi t’u hiqte kartonat e votimit deputetëve socialistë. Veprimi shkaktoi përplasje mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës në sallën e Parlamentit.

Shkak për tensionet u bë edhe kërkesa e Partisë Demokratike për të diskutuar mbi dhunën ndaj studentëve që prej dhjetë ditësh vijojnë protestën. Sipas raportimeve nga seanca, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, kaloi në votim pa hapur diskutimin për këtë çështje.

Gjatë seancës, deputetët demokratë kanë bërë thirrje për lirimin e studentëve të shoqëruar nga policia, duke kërkuar që çështja e protestave dhe trajtimi i të rinjve të diskutohet në Kuvend.

Përplasjet fizike dhe debatet mes deputetëve kanë ndërprerë normalitetin e punimeve parlamentare, në një kohë kur protesta e studentëve dhe reagimi i institucioneve ndaj saj vijojnë të jenë në qendër të debatit politik.