Gjiganti saudit i naftës Aramco ka urdhëruar evakuimin e punonjësve që ndodheshin ende në selinë e kompanisë në Dhahran, në lindje të Arabisë Saudite, pas një serie sulmesh të lidhura me rebelët Huthi të Jemenit. Vendimi vjen pas një sulmi të javës së kaluar në zonën e Dhahranit, ndërsa shumica e punonjësve të kompanisë tashmë po punojnë nga distanca.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, stafit të mbetur në selinë qendrore i është kërkuar të largohet nga ambientet dhe të vijojë punën nga shtëpia deri në një njoftim të ri. Tensionet janë përshkallëzuar pas njoftimeve për sulme ndaj objektivave saudite, përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes në Riad, instalimet e Aramco-s në Yanbu dhe Aeroportin Ndërkombëtar King Fahd në Dammam.
Sulmet kanë shkaktuar viktima dhe dëme. Në Dammam, dy persona u vranë, ndërsa autoritetet saudite kanë raportuar gjithashtu për viktima dhe të plagosur nga rënia e mbetjeve të një droni të lëshuar nga Huthit. Ndërkohë, mbrojtja ajrore saudite ka rrëzuar dronë në rajonet e Riadit dhe Medinës. Një tjetër mjet fluturues pa pilot, që dyshohet se synonte fushën e naftës Shaibah, e operuar nga Aramco, u interceptua përpara se të arrinte objektivin.
Evakuimi i selisë së kompanisë vjen në një moment shqetësimi në rritje për sigurinë e infrastrukturës energjetike saudite, e cila ka rëndësi strategjike për furnizimin global me naftë. Përshkallëzimi i sulmeve ndaj objekteve energjetike dhe infrastrukturës kritike ngre shqetësime për ndikimin e mundshëm në operacionet e industrisë së naftës dhe stabilitetin e tregjeve energjetike ndërkombëtare.













