Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, është shprehur se SPAK duhet të kërkojë sërish në Kuvend heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Në një lidhje live për Report Tv, me gazetarin Denis Minga, Alibeaj tha se çështja ‘Balluku’ është e lidhur drejtpërdrejtë me integrimin europian të Shqipërisë.

Pavarësisht se sipas Alibeajt BE e ka cilësuar çështjen ‘Balluku’ si një test kritik për Qeverinë, ai tha se Taulant Balla dhe deputetët e tjerë të PS sërish nuk e votuan heqjen e imunitetit të saj.

“Nëse mund të ketë një çështje që ka lidhje me integrimin europian, ka një çështje që Balla me shokë nuk e kanë votuar. Bëhet fjalë për heqjen e imunitetit të Ballukut. BE e ka ngritur me të madhe, e ka cilësuar test kritik të Qeverisë. Balla me shokë nuk e kanë votuar. Ligjet për BE-në duhet të jenë çështje të tilla që të paraprihen nga një proces i natyrës publike. Po integrohen shqiptarët në BE. Shqiptarët duhet ta dinë se cilat janë këto ligje që po kalohen. Edhe kjo mënyrë e të kaluarit të këtyre ligjeve, nuk është shumë e ndershme në optikën europiane”, tha mes të tjerash Alibeaj.

Alibeaj theksoi më tej se ka pritur prej kohësh që SPAK të çojë një kërkesë të dytë në Kuvend, për heqjen e imunitetit me qëllim arrestimin e Belinda Ballukut.

Ish-ministri tha se janë plotësuar të gjitha kushtet që SPAK të kërkojë sërish arrestimin e Ballukut, pasi sipas tij, veç akuzës për shkelje të barazisë në tendera, ish-zv.kryeministres i janë shtuar edhe akuzat për ‘korrupsion’, ‘pastrim parash’ dhe ‘fshehje pasurie’.

Alibeaj shtoi se tashmë është bërë e ditur se gjatë periudhës që ish-zv.kryeministrja ishte nën hetim, njerëz afër Ballukut kanë ushtruar presion ndaj ish-bashkëpunëtorëve të saj.

“Kam pritur prej kohësh që SPAK një kërkesë të tillë t’ja bëjë Parlamentit. Që nga momenti kur drejtuesi aktual i SPAK në parlament është shprehur se nëse do të kishte fakte të reja për Ballukun, që do të ndryshonin pozitën e saj juridike, do të bënin një kërkesë të re. Nga ai moment kanë ndodhur gjithë këto elementë. E para, ka hetuar SPAK-u gjerë dhe thellë. Ka nxjerrë fakte të reja, shtëpi të reja, pastrim parash, fshehje të të ardhurave të zonjës. Akuzat kanë kaluar nga shkelja e barazisë në tendera në korrupsion pasiv. Tashmë është bërë e ditur se gjatë periudhës që ishte nën hetim, nga njerëz afër Ballukut ka ndodhur që të jetë ushtruar edhe presion ndaj ish-bashkëpunëtorëve të saj. SPAK duhet të kërkonte heqjen e imunitetit. Unë e di që SPAK nuk e ka në dorë votën e Ballës, Ramës, Ballukut dhe të tjerëve. Koha ende nuk ka mbaruar. Një drejtësi e vonuar, është drejtësi edhe e mohuar”, shtoi Alibeaj.

Dy ditë më parë ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku është marrë e pandehur nga SPAK për 'shkelje të barazisë' në tendera në 9 raste, 'korrupsion', 'pastrim parash' dhe 'fshehje pasurie'.