Aktualitet

Sherri në Parlament, PS kërkon përjashtimin e 20 deputetëve të PD

Partia Socialiste kërkoi përjashtimin e 20 deputetëve të Partisë Demokratike nga punimet e Kuvendit, pas sherrit të së enjtes në seancë plenare, ku nuk munguan as përplasjet fizike.

PS ka kërkuar përjashtimin nga punimet me 60 ditë për deputetët Flamur Noka, Belind Këlliçi, Fidel Kreka, Edi Paloka, Besart Xhaferri dhe Luçiano Boçi.

Gjithashtu është kërkuar përjashtimi nga punimet e Kuvendit për 10 ditë për deputetët Gjin Gjoni, Bardh Spahia, Albana Vokshi, Elda Hoti, Xhelal Mziu, Gent Strazimiri, Enno Bozdo, Kastriot Piroli, Kliti Hoti, Flamur Hoxha, Arjan Ndoja, Ivi Kaso, Zija Ismaili dhe Blendi Himçi.

Seanca e të enjtes u shoqërua me përplasje të forta mes deputetëve të opozitës dhe maxhorancës. Këta të fundit, votuan rendin e ditës me shpejtësi pavarësisht se deputetët e PD kishin bllokuar foltoren. Përplasjet më të forta ndodhën mes Flamur Nokës dhe Taulant Ballës si dhe Fidel Krekës dhe Ervin Hoxhës.